Dita e ndeshjes/ Egnatia për fitoren e parë në grup, me ndihmën e “Air Albanias”
Sfida e Conference League vjen sot në ekranin e RTSH, në orën 18:45. Kampionët e Shqipërisë presin Lincoln Red Imps dhe luajnë gjithçka për gjithçka.
Është mbrëmja e kampionëve të Shqipërisë. Egnatia zbret sot në stadiumin “Air Albania” për të përfaqësuar veten dhe gjithë futbollin shqiptar në arenën europiane. Pret Lincoln Red Imps në ndeshjen e 4-t të fazës së ligës dhe objektivi është i qartë: të arrijë fitoren e parë në këtë nivel.
Rrogozhinasit kanë avantazhin se do të kenë një skuadër të plotë dhe trajneri Nevil Dede pritet të hedhë në fushë “artilerinë e rëndë”. Me përjashtim të Bakajokos dhe Sotës të dëmtuar, i pari prej kohësh dhe i dyti do të mungojë gjatë, të gjithë të tjerët janë të gatshëm.
Eksperienca dhe kualiteti i lojtarëve si Dajsinani, Aleksi, Bitri, Fernando, Albanese dhe Gruda, pa hequr meritat e të tjerëve, pritet ta çojë Egnatian drejt një fitoreje, që do të ishte historike për këtë skuadër. Rrogozhinasit i kanë të gjitha “kartat” për të regjistruar fitoren e parë në grupet e një kompeticioni europian. Trajneri Dede gjithsesi ka bërë apel për vlerësim të kundërshtarit.
Kampionëve të Shqipërisë sot pritet t’u vijë në ndihmë edhe stadiumi “Air Albania”, ku nuk do të jenë vetëm tifozë rrogozhinas, por edhe sportdashës të tjerë që do të mbështesin skuadrën shqiptare. Të gjithë shpresojnë të shijojnë një ndeshje të bukur dhe të festojnë në fund.
Pas 3 ndeshjesh në fazën e ligës së Conference League Egnatia ka 2 pikë, me 2 barazime dhe 1 humbje.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.