Dy shfaqje në skenë, “Otello” dhe “Simfonia e Fatit” (Simfonia 5 apo 9?) në programin artistik këtë muaj në Teatrin…
Nga Julia Vrapi
Premiera teatrore vijnë në programin artistik këtë muaj në Teatrin Kombëtar. “Otello” nga Shekspir vjen së shpejti premierë në skenën me regji nga Qëndrim Rijani dhe një kastë të njohur aktorësh. “Otello”, tragjedia e William Shakespeare, është një produksion i Teatrit Kombëtar, por në vijim të programit artistik këtë muaj në skenën te “ArTurbina” do të ngjitet dhe një shfaqje si projekt i skenës së pavarur, “Simfonia e Fatit” (Simfonia 5 apo 9?). Një vepër me regji nga Driada Dervishi, që e shënon premierën gjatë këtij muaji në skenën e teatrit “Bylis” në Fier dhe vjen me një kastë aktorësh të njohur në role.
“Otello” dhe “Simfonia e Fatit” (Simfonia 5 apo 9?) dy shfaqje të ndryshme, por po aq emocionuese do të pasurojnë programin artistik të Teatrit Kombëtar gjatë këtij muaji. Nga tragjedia e “Otello”-s, që thekson dramën njerëzore, deri tek komedia energjike e “Simfonisë së Fatit” (Simfonia 5 apo 9?), publiku do të ketë mundësinë të përjetojë emocione dhe përvoja të ndryshme teatrale. “Otello” vepër nga William Shakespeare (Uilliam Shekspir) për të cilën regjisori Qëndrim Rijani po vijon provat me aktorët për ta sjellë në skenë përqendrohet në personazhet kryesore: Otello arap- gjeneral në ushtrinë e Venedikut, Desdemona, gruaja e tij dhe Kasio, togeri i tij.
Një premierë, që synon të sjellë për publikun një nga veprat më të njohura të Shekspirit në Teatrin Kombëtar, ku Vitor Zhusti, Artan Imami, Arben Derhemi, Alert Çeloaliaj, Lulzim Zeqja, Donald Shehu, Luli Bitri janë vetëm disa prej aktorëve, që do të jenë në role. “Otello” do të shënojë premierën më 14 maj këtë muaj në skenën e Teatrit Kombëtar te “ArTurbina” në Tiranë dhe vijon dhe në mbrëmjet e datave 15, 16, 17 maj, si dhe në datat 20, 21, 22, dhe 23 maj për publikun. William Shakespeare (1564-1616) është një nga shkrimtarët më të njohur dhe më të rëndësishëm të letërsisë botërore. Shumë nga veprat e tij kanë një ndikim të jashtëzakonshëm në teatër, letërsi dhe kulturë deri në ditët e sotme. Në skenën tonë teatrore janë vënë dhe më parë vepra të Shekspirit, ku këtë muaj do të jetë “Otello” për publikun.
“Simfonia e Fatit” (Simfonia 5 apo 9?)
“Simfonia e Fatit” (Simfonia 5 apo 9?) me regji nga Driada Dervishi, një përshtatje e lirë nga teksti i Aldo Nicolai. Sipas teatrit “Bylis” premiera do të jetë në 13, 14, 15 maj në skenë dhe në role janë aktorët Olta Daku, Neritan Liçaj dhe Xhuliano Brisku. Një “simfoni” ku planet prishen, alibitë ngatërrohen dhe askush nuk është aq i pafajshëm sa duket. Një përshtatje e lirë nga teksti i Aldo Nicolai, që premton mbrëmje plot humor, ritëm dhe surpriza.
Komedia pas teatrit në Fier do të jetë dhe për katër mbrëmje në skenën e Teatrit Kombëtar te “ArTurbina” në Tiranë, ku do të shfaqet në datat 25, 26, 27 dhe 28 maj. Ky produksion teatror ka mbështetje nga Bashkia e Fierit, si dhe nga Bashkia Tiranë. Muzika nga Aulon Naçi, kostumografia nga Desantila Lika, realizimi skenografik Isli Lamuça apo dhe drejtues artistik Besmir Bitraku.