E premte, 20 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Edhe ndërtimi fillon të lëshojë terren për fitimet, sidomos projektet rezidenciale

Edhe ndërtimi fillon të lëshojë terren për fitimet, sidomos projektet rezidenciale

Vitet e fundit, ekonomia pa një valë të jashtëzakonshme të orientimit të kapitaleve të lira drejt sektorit të ndërtimit, të nxituara nga normat e larta të fitimit, dhënia pa fre e lejeve të ndërtimit në kryeqytet e më pas në bregdet dhe kanalizimi me lehtësi i parave informale në këtë sektor.

Gjatë pesë viteve të fundit, si në listën e “Monitor 200” sipas të ardhurave, ashtu dhe në atë sipas fitimeve, u shtuan ndjeshëm subjektet ndërtuese rezidenciale, që nxitën në fakt dhe gjithë zinxhirin mbështetës.

Por, si një aktivitet që është shumë ciklik, ndërtimi nuk mund të gjenerojë rritje të fitimeve pa fund. Në vitin 2025, rreth 19% e shoqërive në listën e “Monitor 200” ishin nga ndërtimi ose të lidhura me të, përkundrejt 21% në vitin 2024 dhe 25% që ishte kjo peshë në vitin 2023.

Edhe norma e fitimit të shoqërive nga ky segment në listën e 200-shes u reduktua në 16.7% në 2025-n, nga rreth 20% në 2024-n dhe 27.5% në vitin 2023, sipas përllogaritjeve të “Monitor”, bazuar në bilancet e shoqërive të ndërtimit dhe atyre të lidhura me to.

Në listën e vitit 2025, ndryshe nga vitet e kaluara, ka shumë pak shoqëri që janë të fokusuara në projektet rezidenciale.

Të dhënat zyrtare tregojnë se ndërtimi ngadalësoi ritmet e rritjes në vitin 2024. Sipas INSTAT-it, sektori u zgjerua me 4.1% në 2025-n, nga 5.4% në vitin e mëparshëm. Ky është ritmi më i ulët që nga viti 2020, kur ekonomia po vuante pasojat e pandemisë.

Burimi: INSTAT

Ecuri më të mirë kishte aktiviteti i pasurive të paluajtshme, që u zgjerua me 8.3% nga 0.46% vitin e mëparshëm.

Burimi: INSTAT

Sipas matjeve të Prodhimit të Brendshëm Bruto nga INSTAT-i, prodhimi në sektorin e ndërtimit (që mat xhiron e përgjithshme të sektorit, me çmime bazë, përpara se të zbriten kostot e prodhimit) arriti në një nivel rekord prej 649 miliardë lekësh, ose rreth 6.6 miliardë euro me kursin mesatar të 2025-s.

Burimi: INSTAT

Ndonëse vlera e prodhimit në ndërtim është rritur ndjeshëm vitet e fundit, kjo nuk reflekton vetëm zgjerimin real të aktivitetit.

Një pjesë e saj lidhet edhe me efektin e çmimeve, pasi treguesit nominalë përfshijnë ndryshimin e çmimeve, ndërsa ritmet reale të rritjes së sektorit janë ngadalësuar ndjeshëm, nga rreth 10% në vitin 2021 në 4.1% në vitin 2025.

Çmimet e pasurive të paluajtshme janë shtrenjtuar ndjeshëm vitet e fundit.

Sipas KeyData, njësi të dhënash e platformës Çelësi Group, e cila mbledh të dhënat e tregut të pasurive të paluajtshme, në fund të 2025-s, çmimi mesatar i apartamenteve në Tiranë, – që përbëjnë rreth 70% të volumit të ndërtimeve të reja në vend, bazuar në lejet e dhëna – arriti në rreth 2100 euro në fund të vitit 2025, nga rreth 1000 euro në fund të 2019-s, me një dyfishim në pak vjet.

Burimi: KEYDATA

Blerjet e të huajve janë një tjetër faktor që kanë nxitur vitet e fundit sektorin e ndërtimit, sidomos në bregdet.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në vitin 2025, investimet e të huajve në pasuri të paluajtshme në Shqipëri arritën vlerën rekord të 561 milionë eurove, në rritje të fortë me 48% me bazë vjetore.

Pasuritë e paluajtshme sollën më shumë se 30% të vlerës së përgjithshme të Investimeve të Huaja Direkte për vitin e kaluar, nga 3-5% që ishte kjo peshë një dekadë më parë.

Të huajt po tërhiqen veçanërisht nga pasuritë e paluajtshme në bregdet, ku çmimet janë ende më të lira sesa në vendet e tjera të rajonit (Mal i Zi, apo Kroaci). Që nga 2018-a, kur filloi interesi për Shqipërinë, të huajt kanë blerë prona me vlerë rreth 2 miliardë euro.

Burimi: Banka e Shqipërisë

Kompanitë rezidenciale, ashtu dhe ato inxhinierike (rrugët e të tjera nëpërmjet tenderave) vijojnë të raportojnë panoramë të kënaqshme financiare dhe norma fitimi dyshifrore, ndonëse për apartamentet, fitimet luhaten në bazë të ciklit të shitjeve.

Vitet e fundit, sipërmarrjet që po investojnë në sektorin e hotelerisë e turizmit dhe sidomos atë të vilave në bregdet, po bëhen një faktor i rëndësishëm në këtë segment dhe po rriten me shpejtësi, duke shfrytëzuar kthimin e Shqipërisë në një destinacion të preferuar turistik dhe lehtësitë fiskale që ka dhënë qeveria për markat me 5 yje (përjashtim nga tatimfitimi për 10 vjet dhe heqja e taksës së infrastrukturës).

Në ndërtimet turistike po dominojnë vilat, të kombinuara me hotele, që janë investime vendase dhe marrin në përdorim emrat e markave të njohura ndërkombëtare. Zhvilluesit pohojnë se preferojnë vilat, për shkak të kthimit të shpejtë që ato kanë, ndërsa hotelet kërkojnë më shumë punë dhe kanë kosto më të lartë menaxhimi dhe kthim të investimit më të gjatë në kohë.

“Green Coast”, pjesë e Grupit BALFIN, që po ndërton kompleksin turistik të vilave me të njëjtin emër në Jug të vendit, u rendit sërish si kompania me fitimet më të larta në segmentin e ndërtimit në vitin 2025.

Pavarësisht rënies së fortë në krahasim me vitin e mëparshëm, si të rezultatit financiar ashtu dhe të ardhurave, raportoi të ardhura prej 3.1 miliardë lekësh, me rënie 63% me bazë vjetore, ecuri e lidhur kjo me ciklin e projektit, teksa një pjesë e madhe e vilave janë shitur tashmë.

Tkurrja ka ardhur si rrjedhojë e zërit “Të ardhura nga kontratat me klientët” për shitjen e pronave.

Në të njëjtën linjë edhe fitimet u tkurrën nga 6.1 në 1.7 miliardë lekë. Shoqëria zhvillon projekte elitare në zonën e Jugut, me ndërtimin e fshatrave turistikë dhe hotelerisë.

Kompania është investitore dhe ndërtimin e kryen përmes nënkontraktorëve.

Sipas raportit të aktivitetit, projektet kryesore janë “Green Coast Resort and Residences”, që po ndërtohet në brigjet e detit Jon; “Green Coast Resort 2” që do të shtrihet në afro 500,000 m² tokë me më shumë se 290,000 m² ndërtim dhe “Hotel MGallery”, brand me 5 yje nën markën “MGallery”, me 118 dhoma, mbi 16,000 m² ndërtim, në një truall prej mbi 8,000 m².

Kompania thotë në raportin vjetor se ecuria e të ardhurave pritet të mbështetet nga progresi i mëtejshëm i projekteve ekzistuese dhe atyre në zhvillim.

“Concord Investment” është renditur në 2025-n, si shoqëria e dytë e ndërtimit me fitimet më të larta, pas ecurisë pozitive si për të ardhurat, ashtu dhe rezultatin financiar. Kompania raportoi qarkullim vjetor prej 2.4 miliardë lekësh, me tkurrje gati 28%. Fitimet u rritën me 57%, në 1.3 miliardë lekë.

Sipas raportit të aktivitetit, “shoqëria ‘Concord Investment’ sh.p.k. është investitore në një sërë projektesh të rëndësishme në lëmin e pasurive të paluajtshme, dhe çka është më e rëndësishme është novatore në fushën e investimit në shërbimet e hoteleri-turizëm duke qenë ndër të parat që kanë marrë statusin e veçantë të investitorit në hotelet me 5 yje.

Ky ka qenë ndër objektivat kryesorë të shoqërisë për vitin 2025 dhe është arritur falë investimeve të shoqërisë dhe partnerëve të saj në ndërtimin e strukturës akomoduese me 5 yje ‘San Pietro’ në Gjirin e Lalëzit. Investimi për këtë projekt është mbyllur në vitin 2025.

Kompania po investon në ndërtimin e një kompleksi ambientesh magazinimi në Kashar, i pari i llojit të tij në Tiranë. Faza e parë është përmbyllur dhe ndërkohë kanë filluar dhe vijuar punimet për fazën e dytë të strukturave magazinore”.

“Gjoka Konstruksion”, që vepron dhe si nënkontraktor i “Gjoka 87” në koncesionin për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, zbriti në vend të tretë nga fitimet në 2025-n. Kompania raportoi të ardhura prej 7.5 miliardë lekësh në vitin 2025, me tkurrje gati 30% me bazë vjetore, pas përfundimit të punimeve në tunelin e Llogorasë. Edhe fitimet ranë nga 3 miliardë lekë në 1.2 miliardë lekë në 2025-n.

Sipas raportit vjetor, “ecuria e aktivitetit dhe e të ardhurave është ndikuar nga shtyrja e nisjes së disa projekteve të planifikuara, për arsye që nuk vareshin nga shoqëria. Këto projekte pritet të fillojnë gjatë vitit të ardhshëm dhe të japin ndikim pozitiv në zgjerimin e aktivitetit dhe rritjen e të ardhurave”.

Për vitin 2025 dhe në vazhdim, shoqëria “Gjoka Konstruksion” ka punuar për zbatimin e kontratës për përmirësimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës së Arbrit.

Projektet e tjera kryesore ku është punuar në vitin 2025 përfshijnë: Zgjerimin e rrugës Elbasan–Qafëthanë; Rehabilitimin e rrugës Fier-Kthesa e Patosit–Frataj; Ndërtimin e Unazës së Jashtme të Tiranës, Loti 6; Qendrën e monitorimit të trafikut, Faza 2, etj.

“Alb Building” deklaroi fitime gati 1.1 miliardë lekë, me rënie prej 5%, duke mbetur në vend të katërt. Të ardhurat ishin 4.2 miliardë lekë, me tkurrje të lehtë prej 4%.

Kompania është përfshirë në disa projekte si segmenti rrugor Qukës–Qafë-Plloçë, zgjerimi i superstradës Tiranë-Durrës, faza III – Vorë, si dhe projekte të tjera për ndërtime urash, rehabilitime të rrugëve, mbrojtje nga rrëshqitjet etj.

Gjatë vitit, shoqëria ka zhvilluar aktivitet intensiv për pjesën e ndërtimit, sipas tabelave të publikuara të punimeve që po kryen. Pasqyrat financiare janë të konsoliduara, duke përfshirë dhe aktivitetin e shoqërive të zotëruara, “Hydro Seta” (74.5%), “Alb-Energy” (61.2%), që prodhojnë energji në bazë të kontratave koncesionare dhe “Alb-BM” (50%).

Aktiviteti i ndërtimit solli 75% të të ardhurave, shitja e energjisë 24% dhe pjesa tjetër prej 1%, nga të ardhura të tjera nga veprimtaria e zakonshme.

“Geci” ka deklaruar 3 miliardë lekë qarkullim vjetor, me rritje të fortë prej 47% në vitin 2025. Edhe fitimet u trefishuan në 961 milionë lekë. Një pjesë të aktivitetit, kompania e ka të lidhur me aktivitetin e “Hotel Tirana”. Në vitin 2024, hoteleria solli 37% të të ardhurave, ndërsa nuk ka informacion për peshën në vitin 2025. Shoqëria raportoi 243 të punësuar.

“Anakonda Plus” është një hyrje e re në listë, me fitime 857 milionë lekë dhe të ardhura 2.4 miliardë lekë, pas një aktiviteti minimal në 2024-n, kur të ardhurat ishin vetëm 90 milionë lekë.

Kompania është e regjistruar me aktivitetin “ndërtimi i ndërtesave rezidenciale e jorezidenciale”. Shoqëria me seli në Vlorë, ka gjithsesi shpenzime minimale personeli (3 milionë lekë) në vitin 2025 dhe vepron më shumë si agjenci e pasurive të paluajtshme, sipas një kërkimi në internet.

“Salillari” është një tjetër nga të mëdhenjtë e punëve publike dhe raportoi qarkullim vjetor rreth 7.6 miliardë lekë dhe fitime rreth 831 milionë lekë.

Aktiviteti kryesor i shoqërisë është i orientuar drejt ndërtimit të veprave të infrastrukturës rrugore, të fituara nga prokurime publike apo nga operatorë të tjerë të tregut, si dhe në prodhimin e materialeve të ndërtimit dhe kryerjen e shërbimeve të tjera si aktivitete dytësore.

“Fusha” sh.p.k. raportoi qarkullim vjetor prej gati 3.5 miliardë lekësh dhe fitime në nivelin e 765 milionë lekëve, me rritje 38% me bazë vjetore. Sipas raportit vjetor, të ardhurat janë rritur për shkak të fillimit të kontratave të reja.

“Nova Construction Group” (ish-“Nova Construction 2012”) është një nga subjektet ndërtuese rezidenciale me rritjen më të fortë në katër vitet e fundit. Në vitin 2025, të ardhurat e saj arritën në 5 miliardë lekë, ndërsa fitimet ishin 648 milionë lekë, me rritje 13% në raport me 2024-n.

Vitet e fundit, kjo shoqëri është përfshirë në disa projekte të mëdha rezidenciale në vend. Në qershor 2026, aksionerët e shoqërisë u përfshinë në hetimin e SPAK-ut (Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar), që goditi një nga organizatat më të mëdha kriminale në Shqipëri, të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe në pastrimin e parave.

SPAK-u raportoi se përmes biznesmenëve dhe eksponentëve të përfshirë, organizata kishte arritur të siguronte tendera me vlera të larta dhe leje për ndërtimin e kullave dhe resorteve luksoze, kryesisht në bregdetin e Jugut të vendit.

Autoritetet kanë vënë sekuestro mbi pasuri të rendit të miliona eurove, të bazuara mbi këto investime në ndërtim dhe resorte të reja.

“Gener 2”, me aktivitet në ndërtimet inxhinierike, rezidenciale dhe menaxhimin e qendrave tregtare, raportoi të ardhura 9.8 miliardë lekë, me tkurrje 40%. Megjithatë fitimet u rritën me 22% në 628 milionë lekë. Në ecurinë e vitit 2025, ndikimin kryesor e dha performanca nga ndërtimi, që është e varur nga cikli i shitjeve.

Kompania ishte zgjeruar në ndërtimet rezidenciale vitet e fundit, nëpërmjet ngritjes së disa komplekseve pranë zonës së Liqenit Artificial në kryeqytet.

Edhe në vitin 2025, sipas raportit vjetor, rreth 84% e të ardhurave ka ardhur nga aktiviteti i ndërtimit dhe shitja e objekteve të banimit, ndërsa pjesa tjetër, nga qiratë e shërbimet në qendrat e biznesit (“Toptani” dhe “Coin”).

Të ardhurat nga qendrat e biznesit, qira veshjesh e komisione, ishin rreth 1.6 miliardë lekë në vitin 2025, me rritje 7%, krahasuar me një vit më parë.

“Bami Holding” raportoi të ardhura prej 3.5 miliardë lekësh në 2025-n dhe fitime 539 milionë lekë. E themeluar në vitin 1999, “Bami Holding” sh.p.k. është e specializuar në fushën e ndërtimeve të rrugëve dhe të autostradave, civile dhe industriale, sipas raportit të aktivitetit.

Sektori rezidencial, me rënie të fitimeve, të mëdhenjtë dalin nga lista

Në 2025-n bie në sy numri i ulët i shoqërive të fokusuara në ndërtime rezidenciale, që vitet e fundit kishin mbizotëruar në listën e ndërtimit. Disa shoqëri të mëdha kanë raportuar rënie të fitimeve, duke dalë nga lista e “Monitor 200”.

“Agi Kons” raportoi të ardhura prej 3.8 miliardë lekësh, me rënie vjetore 11%. Fitimet u tkurrën ndjeshëm me tre herë, duke zbritur në 114 milionë lekë, çka bëri që shoqëria të dalë nga lista e “Monitor 200”, sipas fitimeve. “Viti 2025 u karakterizua nga vazhdimi i presioneve inflacioniste në sektorin e ndërtimit, të shoqëruara me luhatje të çmimeve të materialeve, kostove të transportit dhe kostove të fuqisë punëtore.

Megjithatë, kërkesa për zhvillime rezidenciale dhe investime në pasuri të paluajtshme mbeti në nivele të kënaqshme, duke krijuar mundësi për vazhdimin e investimeve. Shoqëria arriti të përshtatë politikat e saj operative me kushtet e tregut, duke kontrolluar kostot dhe duke ruajtur cilësinë e projekteve”, thuhet në raportin vjetor.

“Arlis Ndërtim” është një tjetër dalje nga lista, si e të ardhurave ashtu dhe fitimeve. Kompania raportoi në vitin 2025 të ardhura prej 1.1 miliardë lekësh, me përgjysmim nga viti i mëparshëm. Fitimet më se u përgjysmuan duke zbritur në 201 milionë lekë. Kompania po zhvillon projekte të shumta në Bashkinë e Tiranës, sipas faqes së saj të internetit, por që ende nuk kanë filluar të japin efekt në të ardhurat e saj.

“Kontakt” sh.p.k. deklaroi qarkullim vjetor prej 4.4 miliardë lekësh, me rritje 34% në raport me vitin e kaluar. Në 2025-n, shoqëria rihyri dhe në listën e fitimeve, me një rezultat para taksave prej 243 milionë lekësh, me dyfishim në raport me 2024-n.

Sipas faqes së internetit, kompania ka disa projekte banesash me markën “Mangalem”, po ndërton kompleksin e vilave “Abi”, në periferi të Tiranës, si dhe ka nisur rezervimet për projektin “Pyjet e Drilonit”, që është shumë pranë Parkut të Drilonit, në Pogradec. Shoqëria kishte 159 të punësuar.

Në listë ka hyrë “Matrix Construction”, me të ardhura 1.4 miliardë lekë e fitime 267 milionë lekë.

“Kotarja Ndërtim sh.p.k.”, e themeluar në tetor 2022, është një kompani ndërtimi me seli në Kamëz, që ka hyrë për herë të parë në listën e fitimeve dhe po rritet me shpejtësi.

Në vitin 2025, kompania raportoi të ardhura prej 2.1 miliardë lekësh, me rritje 137%. Fitimi para taksave u rrit nga 86.8 milionë në 298 milionë lekë, me një normë fitimi 14.2%. Ndër projektet e raportuara zyrtarisht është “Kotarja Center & Residence” në Kamëz, një kompleks rezidencial dhe tregtar me apartamente, ambiente biznesi dhe parkime.

Prodhimi i çimentos, një industri fitimprurëse

Prodhimi i çimentos në vend rezulton një aktivitet fitimprurës, me shoqëritë kryesore që renditen gjithnjë në listën e “Monitor 200” dhe deklarojnë norma të kënaqshme kthimi.

“Antea Cement”, pjesë e grupit “Titan”, është një prej kompanive më fitimprurëse në aktivitetin prodhues të ndërtimit. Shoqëria raportoi të ardhura prej 9.1 miliardë lekësh në vitin 2025, me rënie 4.2%.

Fitimet ranë me 36% në 1.57 miliardë lekë. Aktivitetet e eksportit të shoqërisë mbeten të qëndrueshme, duke përbërë rreth 31.9% të shitjeve totale, që është rritur pak krahasuar me një vit më parë. Tregjet kryesore të eksportit mbeten vendet fqinje të Shqipërisë, përfshirë Italinë, Malin e Zi dhe Kosovën.

“Antea Cement” ka kapacitet prodhimi 1.4 milionë tonë çimento në vit dhe 3.300 tonë klinker në ditë, sipas raportit të vitit 2025.

“Fushë-Krujë Cement Factory” raportoi të ardhura rreth 7.4 miliardë lekë dhe fitime 1.4 miliardë lekë, sipas të dhënave indirekte nga renditja e Tatimeve (kompania nuk ka dorëzuar bilancin e 2023-2025).

“Berdica Cement” deklaroi të ardhura 5.8 miliardë lekë dhe fitime 553 milionë lekë, me rritje 53%. Kompania ka aktivitet në distribucionin e ingredientëve dhe aditivëve për industrinë e materialeve të ndërtimit në Shqipëri dhe Kosovë. Të ardhurat, sipas raportit të aktivitetit, gjenerohen nga shitja e mallrave të ndryshëm industrialë të përdorur në ndërtim si çimento, gëlqere, gur kuarci, rezinë dhe nga shërbimet e transportit.

“Colacem Albania” raportoi të ardhura prej 3 miliardë lekësh dhe fitime 389 milionë lekë. Kjo fabrikë aktualisht ka kapacitet prodhues prej rreth 350,000 tonësh çimento në vit dhe e ka filluar prodhimin në vitin 2013.

Sipas raportit të aktivitetit, “‘Colacem Albania’ sh.p.k. e mbylli vitin financiar me të ardhura prej 30,5 milionë eurosh, në rënie prej 4,8% me kurs këmbimi konstant krahasuar me vitin 2024.

Të ardhurat vazhdojnë të ndikohen nga presionet e forta konkurruese në tregun vendas, të cilat filluan në gjysmën e dytë të vitit 2024 dhe vazhduan gjatë gjithë vitit 2025.

Si pasojë, ‘Colacem Albania’ nuk arriti të përputhë performancën e vitit 2024, si në terma volumesh – shitjet vendase arritën në 183 mijë tonë krahasuar me 194 mijë tonë në vitin 2024 – ashtu edhe në terma çmimi, ku çmimi mesatar ra me 3% krahasuar me vitin 2024. Importet e çimentos janë ulur, duke arritur në 196 mijë tonë, ndërkohë eksportet janë rritur me 11,61%, e përkthyer në 125 mijë tonë në vitin 2025 krahasuar me 112 mijë tonë në 2024-n.

Në këtë kontekst ‘Colacem Albania’ e mbylli vitin me një rritje të xhiros me rreth 10,3% në terma realë, me të ardhura totale rreth 49,3 milionë euro”.

Prodhuesit e ndërtimit

“K. I. D – ALB” është prodhuesi më i madh i produkteve të qeramikës dhe tullave në vend. Të ardhurat e shoqërisë ishin 1.6 miliardë lekë në vitin 2025, me tkurrje 34%.

Edhe fitimet u rritën me 27%, në 542 milionë lekë. Ilda Bare, e cila drejton fabrikën e prodhimit, tha se dy vitet fundit ka një zhvendosje nga eksporti në tregun vendas.

“Para dy vitesh kemi çuar mbi 40% të prodhimit në eksport, por për shkak të rënies së euros, tani çojmë vetëm 5% të prodhimit në eksport për klientët me besnikë ndaj nesh”.

Nga ana tjetër, kostot në tregun e brendshëm janë rritur kryesisht nga pagat e punonjësve dhe çmimet më të larta të lëndëve të para.

Znj. Bare tha se fabrika ka humbur edhe disa përfitime që vinin nga përjashtimi i akcizës në përdorimin e lëndës së parë për djegie. Kompania po investon në teknologji për të rritur konkurrueshmërinë e produkteve. “Disa muaj më parë bëmë një remont total të impianteve të fabrikës, duke ndryshuar teknologjinë.

Këto investime ulin kostot dhe varësinë nga njerëzit”, tha Ilda Bare.

Ajo shton se me ndryshimet e fundit që ka bërë në teknologji ofrojnë një cilësi me të cilën synon të zgjerohet në Europë dhe në tregje jashtë Ballkanit.

“Emante Panel” është për të dytin vit radhazi në listën e “Monitor 200” sipas fitimeve, ndërsa në 2025-n hyri dhe në atë të të ardhurave. Në vitin 2025, shoqëria raportoi të ardhura 3.3 miliardë lekë, me rritje të fortë prej 42% me bazë vjetore.

Edhe fitimet u rritën me 60%, në 404 milionë lekë.

Sipas të dhënave zyrtare, pavarësisht sfidave të vitit 2025, veçanërisht atyre që lidhen me transportin dhe furnizimin me lëndë të parë, ‘Emante’ arriti të shënojë rritje të ndjeshme të eksporteve.

“Kjo rritje është rezultat i fokusit të vazhdueshëm te cilësia, i besimit të partnerëve tanë dhe vlerësimit gjithnjë e më të madh që produktet ‘Emante’ po marrin në tregjet ndërkombëtare.

Për ne, ky është konfirmimi më i mirë se cilësia dhe serioziteti mbeten baza e një rritjeje të qëndrueshme”, thanë burime zyrtare nga kompania.

LEXONI EDHE:

200 kompanitë me fitime më të larta; Ekonomia e shtrembëruar nga tenderat dhe informaliteti

IT, operatrët privatë çojnë 50-80% të të ardhurave për personelin; ata me tendera, norma fitimi 90%

Dilema e madhe e industrisë dhe përpunimit agroushqimor

Alessandro de Concini: Shqipëria ka një mundësi reale për të riorientuar modelin e saj të rritjes drejt industrisë

Fitimet japin sinjale rënëse, por ndërtimi pritet të vazhdojë, krahasimi me rajonin

Nafta, çmimet në rënie në dogana, por jo në tregun e pakicës, normat e fitimit në rritje të lehtë

Lini një koment