E martë, 17 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Arte›“Eja”, romani i ri i Irena Shabanit mbi dhunën psikologjike dhe heshtjen ndaj abuzimit

“Eja”, romani i ri i Irena Shabanit mbi dhunën psikologjike dhe heshtjen ndaj abuzimit

Shkrimtarja Irena Shabani ka botua romanin e saj të ri, të titulluar “Eja”.

Vepra trajton dhunën psikologjike, abuzimin, shantazhin dhe mungesën e komunikimit mes prindërve dhe fëmijëve, përmes historisë së një adoleshenteje, Eja Simonit. Personazhi kryesor përballet me kërcënime, manipulim dhe frikën e ekspozimit publik, ndërsa përpiqet të përballojë një realitet të mbushur me pasiguri, moskuptim dhe presion psikologjik.

Përmes historisë së Ejës, autorja trajton jo vetëm pasojat e abuzimit te viktima, por edhe ndikimin e tij në marrëdhëniet me familjen, shoqërinë, mësuesit dhe rrethin e saj.

Romani ngre gjithashtu çështjen e përgjegjësisë së prindërve dhe të shoqërisë për të dalluar shenjat që mund të tregojnë se një fëmijë po përjeton situata të rënda.

Një nga temat qendrore të veprës është manipulimi përmes frikës dhe turpit të imponuar, veçanërisht kërcënimi për ekspozimin publik të viktimës. Historia trajton mënyrën se si këto forma dhune mund të ndikojnë në jetën e një adoleshenteje dhe në mundësitë e saj për të kërkuar ndihmë.

Irena Shabani është shkrimtare, poete, gazetare dhe aktiviste e të drejtave të njeriut. Ajo e nisi karrierën në shtypin e shkruar dhe më pas u angazhua si bashkëthemeluese dhe drejtuese e disa mediave.

Në vitin 2024, Shabani botoi vëllimin poetik “Letrat që nuk m’i dërgove kurrë”, i cili u botua edhe në gjuhën italiane në vitin 2025. Po atë vit publikoi romanin “Kush qau në Parajsë”. /e.ruzi/

Lini një koment