E premte, 20 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Abissnet Superiore›Ekskluzive/ Mbërrin në “Arena e Demave”, i hapet rruga përfundimtare ndryshimit

Ekskluzive/ Mbërrin në “Arena e Demave”, i hapet rruga përfundimtare ndryshimit

Partizani po avancon me projektin për përmirësimin e infrastrukturës sportive dhe këtë herë vëmendja nuk është përqendruar vetëm te fusha stërvitore. Klubi i kuq po punon paralelisht edhe për stadiumin “Arena e Demave”, ku synohet instalimi i një tapeti të ri hibrid.

Një projekt që tashmë ka hyrë në një fazë konkrete, pasi pas mbërritjes së barit artificial për fushën stërvitore, në ambientet e klubit ka mbërritur edhe bari hibrid për stadiumin. Burime pranë Partizanit bëjnë me dije se materiali për tapetin e ri është tashmë në dispozicion të klubit, ndërsa objektivi është që fusha e stadiumit të jetë gati të paktën në muajin janar. Punonjësit e ngarkuar me këtë projekt do të merren me të gjitha përgatitjet e nevojshme, në mënyrë që procesi të përfundojë brenda afateve të parashikuara.

Në kampin e kuq kërkojnë që investimi të mos mbetet thjesht në kuadrin e një projekti, por të konkretizohet sa më shpejt me një fushë të re. Një tjetër element që tregon se gjithçka po shkon drejt realizimit është edhe fakti se pajisjet e nevojshme për tapetin hibrid janë tashmë në administrimin e Partizanit. Pra, nuk bëhet fjalë vetëm për mbërritjen e materialit, por edhe për sigurimin e mjeteve që do të nevojiten për realizimin e punimeve.

Tashmë mbetet që punonjësit përgjegjës të nisin dhe të përfundojnë procesin e përgatitjes së fushës. Në këtë mënyrë, Partizani synon të përmirësojë kushtet në të cilat zhvillon aktivitetin e tij, duke investuar në dy drejtime, te fusha stërvitore me bar sintetik dhe te tapeti hibrid i stadiumit. Ky i fundit merr një rëndësi të veçantë, pasi “Arena e Demave” është shtëpia e të kuqve dhe një fushë në kushte më të mira do të ndikonte drejtpërdrejt në zhvillimin e ndeshjeve dhe në cilësinë e lojës.

Nëse kalendari i punimeve do të respektohet, muaji janar mund të shënojë një moment të rëndësishëm për Partizanin, që synon të ketë një stadium me tapet të ri për pjesën e dytë të sezonit. Pas sigurimit të barit dhe pajisjeve përkatëse, tashmë gjithçka është në dorën e punimeve për t’i dhënë “Arena e Demave” një pamje dhe standard të ri.

Lini një koment