Tuesday, 5 May 2026
54°F Detroit
BallinaArteEkspozita e Muzeut të Themeluesve hapet në Tiranë në kuadër të Javës Amerikane

Ekspozita e Muzeut të Themeluesve hapet në Tiranë në kuadër të Javës Amerikane

Ekspozita e Muzeut të Themeluesve përfshin portrete dhe biografi të 13 prej nënshkruesve të Deklaratës së Pavarësisë së SHBA-së. Në kuadër të Javës Amerikane, në qendrën“Sotir Kolea” të Bibliotekës Kombëtare në Tiranë u çel ekspozita e Muzeut të Themeluesve, një mundësi për vizitorët që të njohin më afër figurat kyçe të historisë amerikane dhe kontributin e tyre. Në çelje të kësaj ekspozite, në fjalën e saj e ngarkuara me punë Nancy VanHorn solli në vëmendje se SHBA shënojnë këtë vit 250-vjetorin e Pavarësisë.

Ajo ftoi qytetarët të vizitojnë ekspozitën e Muzeut të Themeluesve, duke e përshkruar atë si një mënyrë për të njohur historinë dhe vizionin e burrave, që luajtën një rol kyç në shpalljen e pavarësisë së SHBA-së. “Kam kënaqësinë t’ia prezantoj publikut shqiptar Muzeun e Themeluesve të Shtëpisë së Bardhë. Siç ka thënë Presidenti Trump: “Me një fletë të vetme pergameni dhe 56 firma, Amerika nisi udhëtimin më të madh politik në historinë e njerëzimit.”

Ekspozita e Muzeut të Themeluesve përfshin portrete dhe biografi të 13 prej nënshkruesve të Deklaratës së Pavarësisë, një nga secila prej 13 kolonive origjinale. Dhe ndërsa ndiqni ekspozitën, do të mësoni më shumë për historinë e atyre burrave që kishin një vizion për vendin tonë të madh. Thomas Jefferson dhe Benjamin Franklin, dy nga më të njohurit ndër këta nënshkrues ishin burra me prejardhje dhe edukim të ndryshëm, por megjithatë ndanin një qëllim të përbashkët: Lirinë.

Ekspozita do t’ju çojë përmes disa prej ngjarjeve më të rëndësishme që çuan në themelimin e kombit tonë. Kemi zgjedhur në mënyrë të veçantë të theksojmë qytete si Boston, New York dhe Philadelphia, ku sot jetojnë shumë shqiptaro-amerikanë krenarë ”, u shpreh ajo. Ekspozita vijon deri më datë 8 maj.

Lini një koment