Erërat e fuqishme shkaktojnë dëme në disa komuna të Kosovës, rrëzohen kulme e sera dhe dëmtohen linjat elektrike
Erërat e fuqishme që kanë përfshirë Kosovën gjatë natës së kaluar kanë shkaktuar dëme në disa komuna të vendit.
Si pasojë e motit të lig, janë rrëzuar kulme të objekteve të banimit dhe bizneseve, janë dëmtuar sera bujqësore, ndërsa në disa zona janë raportuar edhe probleme me rrjetin e energjisë elektrike.
Në fshatin Koshare të Ferizajt, erërat e fuqishme kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në një lokal, duke dëmtuar dhe rrëzuar kulmin e tij.
Ndërkaq, në qytetin e Ferizajt është rrëzuar kulmi i një banese, ndërsa si pasojë e kësaj është bllokuar përkohësisht rruga “Dëshmorët e Kombit”.
Dëme janë raportuar edhe në Obiliq. Në qendër të qytetit, erërat kanë shkaktuar dëme materiale dhe kanë shpërndarë mbeturinat, ndërsa një pjesë e qytetit ka mbetur pa energji elektrike.
Po ashtu, në rrugën e fshatit Dardhishtë, erërat kanë rrëzuar shtylla elektrike të tensionit të lartë, duke lënë zonën pa furnizim me energji elektrike.
Për të parandaluar ndonjë incident, anëtarët e një shoqate, së bashku me banorët e zonës, janë angazhuar për vendosjen e sinjalistikës paralajmëruese dhe masave mbrojtëse deri në intervenimin e institucioneve përkatëse.
Dëme të konsiderueshme janë shkaktuar edhe në bujqësi. Në Krushë të Madhe të Rahovecit janë publikuar pamje të dëmeve në sera, ndërsa në fshatin Ruboc të Kamenicës,, janë rrëzuar dy sera me sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 300 metrash katrorë.
Ndërkohë, në lagjen “Jeni Mahall” të Prizrenit, banorët kanë raportuar për djegien e telave elektrikë në një shtyllë të rrjetit të energjisë.
Institucionet e vendit kishin paralajmëruar më 18 nëntor për erërat e fuqishme që pritej të përfshinin Kosovën më 19 nëntor, duke u bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar.
Sipas paralajmërimeve, erërat e forta pritet të vazhdojnë edhe gjatë pasdites së 20 nëntorit, ndaj qytetarëve u është kërkuar të shmangin qëndrimin pranë objekteve të pasigurta, kulmeve, pemëve dhe shtyllave elektrike, si dhe të kenë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit.
Telegrafi do të vazhdojë t’i përcjellë zhvillimet dhe raportimet për dëmet e shkaktuara nga erërat në komunat e vendit. /Telegrafi/