Festivalit të Verës në Berat, bashkim i traditës dhe miqve nga Kosova e komuniteti arbëresh
Berati është kthyer në një pikë takimi për verën, traditën dhe kulturën shqiptare, përmes edicionit të pestë të Festivalit të Verës, “Wine and Stories”, që ka mbledhur qindra qytetarë e turistë vendas dhe të huaj.
Në një postim në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama ndau pamje nga aktiviteti, ku marrin pjesë kantina shqiptare, së bashku me kantina nga Kosova dhe përfaqësues të komunitetit arbëresh të Italisë.
“Festivali i Verës në Berat është një shembull i bukur: verërat shqiptare, tradita dhe miqtë nga Kosova e komuniteti arbëresh, të gjithë bashkë rreth një identiteti që krijon vlerë. Më shumë identitet lokal. Më shumë ekonomi lokale. Më shumë Shqipëri për t’u zbuluar”, shkruan Rama.
“Wine & Stories”, mblodhi qindra vizitorë, të cilët shijuan verëra cilësore shqiptare, muzikë, performanca artistike dhe tregime që sjellin historinë e qytetit muze.
Festivali synon të promovojë verën shqiptare krahas traditës dhe trashëgimisë kulturore të Beratit, duke kontribuar në zhvillimin e turizmit të eksperiencës dhe agroturizmit në zonë.