Fiasko politike apo vendim i duhur? PDK-ja nën “llupën” e analistëve për ligjin e Speciales
Analistët kanë pasur qëndrime të ndryshme lidhur me mënyrën se si Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka menaxhuar procesin e ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Në emisionin “Debat Plus”, analisti Imer Mushkolaj ka kritikuar PDK-në për paqartësitë dhe ndryshimet e shpeshta të qëndrimeve gjatë këtij procesi, duke thënë se e gjithë situata ka lënë shije të hidhur te qytetarët.
Mushkolaj ka vënë në pikëpyetje faktin se PDK-ja fillimisht e kishte iniciuar dhe votuar ligjin, duke siguruar se ai ishte përgatitur nga ekspertët dhe se gjithçka ishte në rregull, ndërsa pas miratimit kërkoi kthimin e tij në Kuvend dhe tashmë po paralajmëron një iniciativë të re ligjore.
“Në këtë rast mendoj që PDK-ja, si iniciuese e ligjit, pastaj edhe si votuese, e ka menaxhuar jashtëzakonisht keq këtë procesin se çka ndodhi pas miratimit të ligjit. Prej kërkesës që ia ka bërë presidentes që ligji të kthehet në Kuvend deri tash po vazhdon, e ligj nuk ka… e deri tash që zonja Çitaku tha se kemi të bëjmë me një iniciativë të re ligjore”, ka deklaruar Mushkolaj.
Ai ka shtuar se gjithë procesi ka krijuar zhgënjim, pasi menjëherë pas miratimit të ligjit u shfaqën probleme që më parë nuk ishin përmendur nga PDK-ja.
Ndërkaq, analisti Bekim Kabashi ka vlerësuar se vendimi për të mos vazhduar me ligjin e miratuar më herët, por për të hartuar një projektligj të ri nga fillimi, është zgjidhja më e mirë.
Sipas tij, pas kthimit të ligjit nga presidentja për shkak të disa vërejtjeve, PDK-ja kishte shqyrtuar disa mundësi për ta proceduar atë tutje, përfshirë amendamentimin ose rrëzimin e vetos presidenciale.
Megjithatë, Kabashi ka thënë se këto procedura ishin të komplikuara nga pikëpamja kushtetuese dhe se në fund ishte arritur pajtimi me Lëvizjen Vetëvendosje që ligji i mëparshëm të mos procedohej më tutje.
“Mendoj që e kanë marrë vendimin më të mirë që nuk po e miratojnë këtë ligj. Se ky ligj është kontestuar nga presidentja. Presidentja nuk e ka dhënë nënshkrimin, ka gjetur disa gabime”, ka thënë Kabashi.
Ai ka theksuar se ngutia për miratimin e ligjit ishte e ndërlidhur me zhvillimet politike në vend, veçanërisht me procesin e zgjedhjes së presidentit dhe rrezikun e shkuarjes në zgjedhje të reja.
Ndërkaq, analisti Astrit Gashi ka qenë më kritik ndaj PDK-së, duke e cilësuar sjelljen e saj gjatë dy muajve të fundit si të paqartë dhe të paqëndrueshme.
Sipas tij, partia ka ndryshuar vazhdimisht qëndrimet lidhur me mënyrën se si duhej të procedohej ligji.
“PDK-ja po sillet, siç ka thënë populli, si pula pa krye, aty s’ka asnjë dyshim. Në dy muajt e fundit ne në fakt nuk po dimë çka do PDK-ja, sepse çka do PDK-ja ndryshon gati çdo dy-tri ditë”, është shprehur Gashi.
Ai ka përmendur se PDK-ja fillimisht kërkonte që ligji i njëjtë të votohej sërish, ndërsa pas takimit me kryeministrin Albin Kurti u pajtua që ai të mos procedohej më tutje dhe të niste hartimi i një projektligji të ri.
Në debat është përfshirë edhe analisti Kreshnik Gashi, i cili ka vlerësuar se iniciativa për ndryshimin e ligjit nuk kishte arritur të siguronte mbështetjen e nevojshme të partnerëve ndërkombëtarë.
Sipas tij, ndryshimet që prekin funksionimin dhe llogaridhënien e Dhomave të Specializuara nuk mund të realizohen pa dakordim me Bashkimin Evropian.
“Nuk mundesh me miratu një ligj i cili prish marrëdhënie ndërkombëtare pa i bindur pak ambasadorët që do të punojnë në Kosovë. […] Nuk mendoj që ndryshimet e ligjit, ato serioze që pritet të lidhen me llogaridhënien e gjykatës, mund të ndodhin pa dakordim me Bashkimin Evropian”, ka deklaruar Gashi.
Ndërsa analisti Sadri Ramabaja ka thënë se gradualisht po pranohen edhe nga pjesëtarë të komunitetit juridik mangësitë e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Ai ka rikujtuar kundërshtimin e vitit 2015 ndaj këtij ligji, duke argumentuar se shqetësimet e atëhershme lidheshin me pasojat politike dhe dëmtimin e imazhit të Kosovës.
Ramabaja ka kritikuar veçanërisht karakterin, sipas tij, njëetnik të gjykatës, duke thënë se fakti që ajo ndjek vetëm të dyshuarit e një etnie përbën një gabim të rëndë politik.
Ai ka ngritur gjithashtu shqetësime për çështjet që lidhen me transparencën, mbrojtjen e dëshmitarëve dhe numrin e madh të dëshmitarëve të mbrojtur./Telegrafi/