Finlanda thërret ambasadorin rus pas shkeljes së dyshuar të hapësirës ajrore nga një helikopter rus
Ministria e Jashtme e Finlandës thirri pasditen e së hënës ambasadorin e Rusisë në Helsinki, për t’i kërkuar shpjegime për një shkelje të dyshuar të hapësirës ajrore finlandeze nga një helikopter rus, siç njofton Politico.
Helikopteri rus u pa të shtunën pak pas mesditës pranë qytetit bregdetar jugor Loviisa dhe, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, hyri rreth 4.1 kilometra brenda territorit të Finlandës. “Veprimet e rrezikshme dhe të pamatura të Rusisë në Evropë janë të papranueshme”, tha Ministria e Jashtme në një deklaratë në X. “Dënojmë ashpër luftën e paligjshme të agresionit të Rusisë dhe goditjet e saj në rritje ndaj objektivave civile në Ukrainë. Qëndrojmë në solidaritet me Danimarkën, Poloninë dhe partnerët tanë të tjerë evropianë”, shtoi ministria, duke theksuar se Ukraina ka të drejtë të mbrohet.
Ministri i Mbrojtjes, Antti Häkkänen, tha se shkelja e dyshuar mund të lidhet me operacionet e shpëtimit ose të monitorimit rreth anijes ruse të mallrave Sparta II, e cila u dëmtua të shtunën në mëngjes nga një sulm ukrainas me dronë në Gjirin e Finlandës. Anija e dëmtuar kishte hyrë në ujërat territoriale finlandeze dhe Roja Bregdetare e Finlandës e tërhoqi atë drejt Rusisë të dielën pasdite.
Disa vende evropiane kanë kritikuar Rusinë muajt e fundit për inkursione ajrore me helikopterë dhe dronë. Moska ende nuk ka reaguar publikisht për thirrjen e ambasadorit të saj në Helsinki.