E premte, 20 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›FOKUS – Danimarka dëbon një diplomat rus, i dyshuar për përfshirje në një komplot për vrasje

FOKUS – Danimarka dëbon një diplomat rus, i dyshuar për përfshirje në një komplot për vrasje

KOPENHAGË, 20 nëntor /ATSH-DPA/- Një komplot për vrasjen e një reperi ukrainas-amerikan, që dyshohet se ishte organizuar me nismën e Rusisë, ka shkaktuar një krizë diplomatike mes Danimarkës dhe Rusisë.

Dy burra me shtetësi daneze u akuzuan sot për tentativë për vrasjen e muzikantit, i njohur me emrin artistik Kyivstoner.

Të dy ndodhen në paraburgim në pritje të gjykimit.

Në përgjigje të kësaj ngjarjeje, Danimarka dëboi nga vendi atasheun rus të mbrojtjes.

“Ne supozojmë … se atentati ishte planifikuar nga shërbimet ruse të zbulimit”, deklaroi Rasmus Kieffer-Kristensen, kreu i shërbimit danez të zbulimit, sipas agjencisë së lajmeve Ritzau.

Lidhur me dëbimin e diplomatit rus, ministri i Jashtëm Lars Lokke Rasmussen deklaroi se bëhej fjalë për “dërgimin e një sinjali”.

Ai shtoi se ambasadori rus në Kopenhagë ishte thirrur gjithashtu në Ministrinë e Jashtme.

Sipas agjencisë Ritzau, Kyivstoner kishte planifikuar të mbante një koncert në Charlottenlund më 25 shtator, i cili në fund u anulua.

Po atë ditë, policia ndaloi një automjet, në të cilin u gjetën dy pistoleta dhe disa thika.

Tre persona, të moshës nga 18 deri në 22 vjeç, u arrestuan, ndërsa më vonë u arrestua edhe një 28-vjeçar.

Dy të dyshuarit kryesorë, të akuzuar për tentativë vrasjeje, i mohojnë akuzat, raportoi transmetuesi danez DR.

Autoritetet daneze po hetojnë lidhjet e të akuzuarve me një grup danez të ndaluar, të quajtur “Loyal to Familia”, i cili dyshohet se ka kërkuar në mënyrë aktive kontakte me Rusinë.

Në korrik, Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB), shërbimi i zbulimit të brendshëm, kishte akuzuar Kyivstoner se ishte përgjegjës për kontrabandën e 35 dronëve përmes Polonisë dhe Bjellorusisë, me qëllim kryerjen e një sulmi në një periferi të Moskës. /Ad.Ab./ a.jor.

Lini një koment