E enjte, 19 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›FOKUS – Danimarka miraton marrëveshjen e mbrojtjes së Groenlandës me SHBA-në

FOKUS – Danimarka miraton marrëveshjen e mbrojtjes së Groenlandës me SHBA-në

KOPENHAGË, 19 nëntor /ATSH-DPA/- Parlamenti i Danimarkës miratoi sot një marrëveshje të re me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për sigurinë dhe mbrojtjen e Groenlandës, me 109 vota pro dhe asnjë kundër.

Votimi i hap rrugën përfundimtare politike zbatimit të marrëveshjes, e cila synon të zgjidhë mosmarrëveshjen e shkaktuar pasi presidenti amerikan Donald Trump, kërcënoi se do të merrte kontrollin e Groenlandës, duke përmendur interesat e sigurisë së SHBA-së, në këtë ishull të pasur me burime natyrore dhe me rëndësi strategjike në Arktik.

Edhe parlamenti i Groenlandës, një territor autonom, që bën pjesë në Mbretërinë e Danimarkës, votoi në favor të ratifikimit të marrëveshjes dy javë më parë.

Presidenti amerikan Trump, kryeministrja daneze Mette Frederiksen dhe kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, nënshkruan marrëveshjen në shtator, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.

Marrëveshja mund të hyjë në fuqi pasi Uashingtoni të njoftohet zyrtarisht, nëpërmjet kanaleve diplomatike, për miratimin e saj nga të dy parlamentet.

Marrëveshja lejon ngritjen e dy bazave të tjera ushtarake amerikane

Marrëveshja ruan statusin e Groenlandës brenda Mbretërisë së Danimarkës dhe sovranitetin e kësaj të fundit mbi ishullin. Ajo përditëson dhe zgjeron një marrëveshje të vitit 1951 për mbrojtjen mes Danimarkës dhe SHBA-së, e cila i jep ushtrisë amerikane liri të gjerë veprimi në ishull.

Aktualisht, ushtria amerikane ka një bazë në Groenlandë, bazën hapësinore “Pituffik”, në veriperëndim të ishullit. Ajo luan një rol të rëndësishëm në mbrojtjen kundër raketave dhe në mbikëqyrjen me radar.

Marrëveshja i lejon SHBA-së, të modernizojë këtë bazë dhe të zgjerojë aktivitetet ushtarake atje. Gjithashtu, parashikon mundësinë e ngritjes së dy objekteve të tjera ushtarake amerikane.

Marrëveshja mbështet synimin e Trump, për të kufizuar ndikimin e Kinës dhe Rusisë në rajon.

Vendet që nuk janë anëtare të NATO-s, do të duhet të marrin miratimin e të tri palëve për të ndërtuar objekte ushtarake në Groenlandë.

Marrëveshja kufizon gjithashtu investimet nga vende jashtë Bashkimit Evropian, të cilat nuk janë as anëtare dhe as partnere të NATO-s, si dhe investimet e kompanive apo investitorëve nga këto vende. /

Lini një koment