FOKUS – Gjermania dhe Austria kërkojnë kalimin e TikTok-ut nën kontrollin evropian
BERLIN, 18 nëntor /ATSH-DPA/- Gjermania dhe Austria po nxisin vendosjen nën kontrollin evropian, të operacioneve të platformës së njohur kineze të videove TikTok në Evropë.
Përfaqësuesit e të dy vendeve njoftuan sot se synojnë të krijojnë një strukturë pronësie evropiane, për aktivitetet e platformës në kontinent, me qëllim garantimin e kontrollit mbi të dhënat e përdoruesve dhe algoritmet e saj.
TikTok-u është në pronësi të kompanisë kineze “ByteDance”, me seli në Pekin.
Ministri gjerman i Kulturës dhe Medias, Wolfram Weimer dhe sekretari austriak i Shtetit për Çështjet Digjitale, Alexander Pröll deklaruan në një deklaratë të përbashkët se mbështesin “nismën për evropianizimin e TikTok-ut”, duke ftuar edhe vendet e tjera t’i bashkohen kësaj përpjekjeje.
Nisma vjen pas një marrëveshjeje të arritur në janar mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe “ByteDance”, për krijimin e një sipërmarrjeje të përbashkët, ku shumica e operacioneve të TikTok-ut në SHBA do të jetë në pronësinë amerikane.
Në shkurt, Weimer propozoi që operacionet evropiane të platformës, të kalonin në duart e investitorëve evropianë. Në atë kohë, ai kishte sugjeruar krijimin e një konsorciumi të kompanive evropiane të medias si një zgjidhje të mundshme.
Weimer dhe Pröll theksuan se shqetësimet për mbrojtjen e të dhënave personale dhe ndikimin e platformave të mëdha në opinionin publik janë arsyet kryesore të kësaj nisme.
Sipas tyre, duke qenë se TikTok-u është në pronësi të një kompanie kineze, mbetet e paqartë se deri në çfarë mase, qeveria kineze mund të ketë akses në të dhënat e përdoruesve evropianë.
Algoritmet e rekomandimit të platformave të mëdha ndikojnë ndjeshëm në përmbajtjet, që shohin përdoruesit dhe në përhapjen e tyre.
Një strukturë pronësie evropiane do të mundësonte kontroll jo vetëm mbi të dhënat e përdoruesve, por edhe mbi infrastrukturën teknologjike të platformës. /