FOKUS – Zelensky mbërrin në Berlin për bisedimet mbi Ukrainën me Koalicionin e të Vullnetshmëve
BERLIN, 19 nëntor /ATSH-DPA/– Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mbërriti sot në Berlin, ku do të zhvillohet samiti i të ashtuquajturit Koalicioni i të Vullnetshmëve, një grup prej afro 40 vendesh që mbështesin Ukrainën në mbrojtjen e saj kundër Rusisë.
“Mbërritëm në Berlin së bashku me ekipin tonë”, shkroi Zelensky në rrjetin social X.
“Prioritetet e Ukrainës janë forcimi i mbrojtjes ajrore, mbështetja për sektorin energjetik dhe atë financiar, rruga diplomatike, si dhe hapat e mëtejshëm drejt përfundimit të luftës dhe garantimit të sigurisë”, shtoi ai.
Presidenti ukrainas theksoi se vendi i tij, po bën gjithçka për të siguruar pjesëmarrjen e plotë të Evropës në procesin e negociatave dhe për t’i bërë takimet sa më produktive. Ai iu referua bisedimeve me Rusinë, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Zelensky bëri të ditur gjithashtu, se në Berlin ishin planifikuar takime dypalëshe me kancelarin gjerman, Friedrich Merz dhe partnerë të tjerë evropianë.
Në bisedimet e sotme pritet të marrin pjesë edhe negociatorët amerikanë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner.
Diskutimet synojnë të bashkërendojnë hapat e ardhshëm të negociatave me Rusinë, të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, të cilat po zhvillohen në Abu Dabi.
Vendet evropiane, përfshirë Gjermaninë, po kërkojnë të marrin pjesë në negociatat për përfundimin e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.
Koalicioni i të Vullnetshmëve u krijua në fillim të vitit 2025 për të mbështetur Ukrainën. Aktualisht, ai përfshin afro 40 vende, nga Japonia te Polonia dhe Kanadaja.
Qëllimi i tij është të furnizojë Ukrainën me armë për mbrojtjen kundër Rusisë, pas nisjes së pushtimit në shkallë të plotë në shkurt 2022, si dhe t’i ofrojë ndihmë humanitare dhe financiare. /