GJERMANI – Katari planifikon investime prej 15 miliardë eurosh
BERLIN, 20 nëntor /ATSH-DPA/ – Katari ka planifikuar të investojë 15 miliardë euro shtesë në Gjermani gjatë pesë viteve të ardhshme, me fokus në sektorët strategjikë të ekonomisë dhe industrinë e mbrojtjes, bëhet e ditur në një deklaratë të përbashkët të qeverisë gjermane, pas takimit mes kancelarit Friedrich Merz dhe emirit të Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, të zhvilluar sot në Berlin.
Kancelari Merz e përshëndeti këtë njoftim, duke theksuar se investimet do të forcojnë bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve dhe do të krijojnë mundësi të reja në fusha me rëndësi strategjike.
Ndër sektorët kryesorë të përmendur janë inteligjenca artificiale, gjysmëpërçuesit dhe industria e aviacionit.
Planet për investimet janë shpallur nga Autoriteti i Investimeve të Katarit (QIA), fondi sovran i pasurisë së këtij vendi.
Megjithatë, deklarata zyrtare sqaron se realizimi i tyre do të varet nga vendimet e pavarura të investitorëve të përfshirë.
Synimi është të mbështetet rritja e kompanive gjermane, të rritet konkurrueshmëria e tyre dhe të forcohen industritë që konsiderohen thelbësore për ekonominë dhe sigurinë kombëtare.
Katari ka tashmë pjesëmarrje financiare në disa kompani të rëndësishme gjermane, përfshirë prodhuesin e automobilave “Volkswagen”, përmes strukturave të tij të investimeve.
Investimet e reja pritet të zgjerojnë më tej praninë e kapitalit nga vendet e Gjirit në ekonominë më të madhe të Evropës.
Gjatë takimit, Merz theksoi gjithashtu rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, në një kohë kur lufta në Iran po shton pasiguritë rajonale dhe ndërkombëtare.
Të dy vendet synojnë të forcojnë shkëmbimin e informacionit mes agjencive të sigurisë për identifikimin e kërcënimeve dhe të bashkëpunojnë më ngushtë në mbrojtjen nga sulmet kibernetike. /Ad.Ab./ a.jor.