GM do ta sjellë drejtimin autonom pa i mbajtur sytë në rrugë te pickup-ët dhe SUV-të më të shitur
Pas Cadillac Escalade IQ të vitit 2028, gjiganti i Detroitit e zgjeron planin te kamionçinat dhe SUV-të e mëdhenj, burimi kryesor i fitimeve të tij
General Motors planifikon të ofrojë drejtim autonom “pa i mbajtur sytë në rrugë” (eyes-off) te automjetet e tij më të shitura dhe më fitimprurëse — kamionçinat e mëdha pickup dhe SUV-të — ndërsa kërkon burime të reja të ardhurash nga investimet e rënda në teknologji, siç njofton Reuters.
Vitin e kaluar, GM tha se do të ofronte drejtim autonom në autostradë në vitin 2028 te Cadillac Escalade IQ, një SUV elektrik i shtrenjtë por me shitje të ulëta. Të mërkurën, prodhuesi i automjeteve nga Detroiti tha se do ta zgjerojë shërbimin te kamionçinat pickup dhe SUV-të e tjerë të mëdhenj, pa specifikuar një afat kohor, sipas raportimit të Reuters.
Shumica e sistemeve të asistencës në drejtim kontrollojnë timonin dhe shpejtësinë në kushte të caktuara — ndonjëherë edhe pa duar — por i kërkojnë shoferit të mbetet i vëmendshëm. Këtu përfshihen sistemi Full Self-Driving (Supervised) i Tesla-s dhe Super Cruise i GM-së, që debutoi rreth një dekadë më parë. Vetëm pak prodhues kanë prezantuar sisteme “eyes-off”, mes tyre Mercedes-Benz, me shërbim zakonisht të kufizuar në zona të vogla gjeografike dhe shpejtësi të ulëta, si në trafikun me ndalesa të shpeshta, thekson Reuters.
Disa drejtues të industrisë kanë thënë se drejtimi “eyes-off”, që ia kalon kontrollin herë shoferit e herë makinës, ngre pyetje të ndërlikuara sigurie dhe përgjegjësie ligjore, dhe mund të mos interesojë sa duhet blerësit. Por drejtori i produkteve të GM-së, Sterling Anderson, i cili ka punuar më parë te kompania e kamionëve autonomë Aurora, tha se GM po ndërton “një sistem autonom që funksionon në mënyrë të sigurt në autostrada dhe që ta kthen vërtet kohën”. Sipas Reuters, Anderson shtoi se GM do ta zgjerojë shërbimin me kohë edhe në rrugë të tjera.
Paralelisht, GM po zhvillon një shtyllë të re softuerike për automjetet e ardhshme, mbi të cilën do të ndërtohen sistemi i drejtimit të automatizuar dhe veçori të tjera digjitale, duke pritur që shoferët të jenë të gatshëm të paguajnë për to. Drejtuesit e kompanisë i paraqitën planet të mërkurën në një aktivitet në New York, siç njofton Reuters.