Sunday, 11 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Arte›Gonxhja: “Muji dhe Halili”, legjenda e kreshnikëve së shpejti në ekranin e madh

Gonxhja: “Muji dhe Halili”, legjenda e kreshnikëve së shpejti në ekranin e madh

“Muji dhe Halili”, një nga rrëfimet më të njohura të epikës legjendare shqiptare, do të vijë së shpejti në ekranin e madh, në një realizim filmik nga Turjan Hysko.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ndau në rrjetet sociale momente nga filmi, i cili synon të sjellë për publikun një prej historive më të njohura të trashëgimisë folklorike shqiptare.

“Dy trima. Një besë. Një legjendë që nuk vdes kurrë”, shkroi Gonxhja në rrjete sociale, teksa vuri në dukje se, ky realizim artistik sjell historinë e përcjellë ndër breza përmes këngëve të lahutës dhe traditës gojore.

“Nga kënga e lahutës, tek ekrani i madh, historia që rriti sa e sa breza po vjen në një realizim epik”, tha Gonxhja.

Cikli i Kreshnikëve, ku bëjnë pjesë figurat e Mujit dhe Halilit, përfaqëson një nga pasuritë më të rëndësishme të trashëgimisë shpirtërore shqiptare, duke përcjellë vlera si trimëria, besa, nderi dhe qëndresa.

Përmes këtij realizimi, legjenda pritet të marrë një dimension të ri artistik, duke u afruar edhe me brezat e rinj përmes gjuhës së kinemasë.

Filmi “Muji dhe Halili” pritet të shfaqet së shpejti në kinema.

Lini një koment