Tuesday, 22 September 2026
54°F Detroit
BallinaArteGonxhja nga Apolonia: Asnjë monument i dëmtuar, ndërhyrje nga toka dhe ajri për shuarjen e zjarrit

Gonxhja nga Apolonia: Asnjë monument i dëmtuar, ndërhyrje nga toka dhe ajri për shuarjen e zjarrit

Zjarri i rënë në afërsi të Parkut Arkeologjik të Apolonisë po merret nën kontroll falë ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse dhe operacionit nga ajri.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ishte në terren për të ndjekur nga afër situatën dhe ndërhyrjen për shuarjen e flakëve.

Gonxhja theksoi se mbrojtja e Parkut Arkeologjik të Apolonisë, si një pasuri e rëndësishme e trashëgimisë kulturore, është përparësi, duke shprehur mirënjohje për të gjitha strukturat që po punojnë në terren.

“Aksioni për fikjen e zjarrit po vijon. Kemi forca të shtuara nga toka dhe ajri. Me temperarua kaq të ulëta nuk mund të kemi një zjarr të tillë. Shkak është gabimi njerëzor, policia po heton. Nuk është dëmtuar asnjë monument brenda parkut”, tha Gonxhja.

Gonxhja vlerësoi ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse dhe mbështetjen nga ajri, ndërsa theksoi rëndësinë e reagimit të shpejtë edhe nga qytetarët në raste të tilla.

“Është domosdoshmëri dhe shumë e rëndësishme që të ruajmë. Ashtu siç e kanë ruajtur të parët tanë, duhet ta ruajmë edhe ne”, u shpreh Gonxhja.

Ministri falënderoi veçanërisht Andrea Ramën, një vizitor nga Lushnja i cili vuri re rastësisht zjarrin në afërsi të parkut dhe kontribuoi në përpjekjet për shuarjen e tij.

“Një shembull guximi e përgjegjësie qytetare”, e cilësoi Gonxhja kontributin e tij, duke nënvizuar se kujdesi dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore është përgjegjësi e përbashkët.

Ndërhyrja vijon në terren me qëllim izolimin dhe shuarjen e plotë të zjarrit, si dhe mbrojtjen e zonës arkeologjike.

Lini një koment