E premte, 20 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›GREQI – Athina mikpret takimin për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor

GREQI – Athina mikpret takimin për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor

ATHINË, 20 nëntor /ATSH-ANA/ – Greqia do të organizojë të hënën në Athinë një takim ministror me fokus përshpejtimin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Takimi zhvillohet me nismën e ministrit të Jashtëm grek, George Gerapetritis, dy ditë përpara Samitit BE–Ballkani Perëndimor.

Në qendër të diskutimeve do të jetë ruajtja e ritmit të zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe forcimi i perspektivës evropiane të vendeve të rajonit.

Në takimin e grupit të quajtur “Miqtë e Ballkanit Perëndimor dhe Partnerët e Ballkanit Perëndimor” do të shqyrtohen mundësitë për avancimin e procesit të integrimit, duke marrë parasysh edhe presidencën greke të Këshillit të BE-së në gjysmën e dytë të vitit 2027.

Athina synon që zgjerimi i Bashkimit Evropian të mbetet një prioritet në agjendën politike evropiane dhe që vendet e rajonit të ruajnë angazhimin për reformat e nevojshme.

Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet shtetit të së drejtës, qeverisjes demokratike dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, parime të riafirmuara në Deklaratën e Delfit të 23 prillit 2026.

Në diskutime pritet të përfshihet edhe mundësia e përdorimit të ekspertizës së Zyrës së OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), për të mbështetur reformat që vendet e Ballkanit Perëndimor po ndërmarrin në kuadër të integrimit evropian.

Në kuadër të takimit, ministri grek i Jashtëm, George Gerapetritis, do të zhvillojë edhe takime dypalëshe me homologët e tij, si dhe me përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, njëkohësisht zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, dhe komisioneren për Zgjerimin, Marta Kos./ /Ad.Ab./ a.jor.

Lini një koment