Haradinaj: Tërheqja e ligjit për Specialen nuk është bërë në emrin tim apo të Aleancës
Ish-kryeministri, tash deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur lidhur me procesin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke theksuar se, siç njofton RTK, tërheqja e tij nuk është bërë në emrin e tij apo të subjektit politik që ai përfaqëson.
Haradinaj rikujtoi se ky ligj ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës me shumicë të madhe votash — mbi njëqind deputetë — dhe kërkoi nga personat përgjegjës për tërheqjen që ta përmbyllin procesin dhe ta rikthejnë projektligjin për votim në Kuvend.
“Përsa i përket një ligji, është votuar në Parlamentin e Kosovës me një shumicë shumë të madhe, mbi njëqind deputetë. Tërheqja s’është në emrin tim, në emrin e Aleancës, pra nuk ka ndodhur. Kush e ka ba tërheqjen, duhet ta merr seriozisht këtë proces e ta mbyll, pra ta rikthen, ta voton, përndryshe një zhagitje çfarë po ndodh, është e turpshme dhe e dëmshme”, tha Haradinaj, sipas RTK-së.