Ish-punonjësi i National Gallery of Victoria akuzohet se vodhi 8 milionë dollarë përmes skemës së celularëve
Një ish-punonjës i lartë i National Gallery of Victoria (NGV) në Melburn është akuzuar se i grabiti institucionit rreth 8 milionë dollarë përmes një skeme të sofistikuar që zgjati plot gjashtë vjet, nga shtatori i vitit 2019 deri në shtator të vitit 2025.
Sipas Komisionit të Pavarur Kundër Korrupsionit të shtetit të Viktorias (IBAC), i dyshuari përdori një llogari zyrtare të galerisë për të blerë telefona celularë me vlerë rreth 8 milionë dollarë, pajisje që më pas i shiste në treg për përfitim personal. Hetuesit pretendojnë se ai shfrytëzoi pozitën e tij të lartë për ta mbuluar mashtrimin dhe për t’i shpëtuar kontrollit të brendshëm.
IBAC e ka ngarkuar me shtatë akuza për vjedhje dhe një akuzë për keqveprim në detyrë publike, në përfundim të hetimit njëvjeçar të koduar “Operation Sonder”. Identiteti i të akuzuarit nuk është bërë ende publik; ai pritet të dalë para Gjykatës së Magjistratëve të Melburnit më 20 tetor 2026.
Galeria e pushoi nga puna punonjësin në shtator të vitit 2025, pasi e kishte denoncuar rastin si në Policinë e Viktorias, ashtu edhe në IBAC. Në një reagim zyrtar, NGV thotë se që atëherë ka vendosur masa dhe kontrolle të reja për të forcuar sistemet e saj të mbikëqyrjes financiare.
National Gallery of Victoria, e themeluar në vitin 1861, është galeria publike më e vjetër dhe më e vizituar e Australisë, me një koleksion prej afro 80,000 veprash arti.
Burimi: USA Art News (sipas The Guardian / ABC Australia / Artforum)