ITALI – Grevë e përgjithshme kundër projektbuxhetit, protesta në mbi 100 qytete
ROMË, 20 nëntor /ATSH-ANSA/ – Punonjës dhe studentë kanë dalë sot në protesta në të gjithë Italinë, në kuadër të një greve të përgjithshme 24-orëshe të organizuar nga Konfederata e Përgjithshme Italiane e Punës (CGIL) dhe sindikatat “Cobas”, kundër projektbuxhetit të qeverisë për vitin e ardhshëm.
Në të gjithë vendin, janë parashikuar më shumë se 100 protesta dhe manifestime. Kërkesa kryesore e sindikatave është ndryshimi i projektbuxhetit, të cilin e konsiderojnë të pamjaftueshëm, për të përballuar rritjen e kostos së jetesës dhe për të përmirësuar kushtet ekonomike të punonjësve dhe pensionistëve.
Kreu i CGIL-së, Maurizio Landini, kritikoi qeverinë, duke theksuar se edhe vetë shumica parlamentare, nuk duket e bindur për cilësinë e projektligjit, pasi ka paraqitur rreth 2,000 amendamente për ndryshimin e tij.
Landini kundërshtoi kritikat për zgjedhjen e ditës së premte për zhvillimin e grevës. Ai theksoi se punonjësit që bëjnë grevë nuk e bëjnë këtë për të përfituar një ditë pushimi, por për të kërkuar paga dhe të drejta më të mira, edhe pse për këtë duhet të heqin dorë nga paga e asaj dite pune.
Greva e shpallur nga CGIL, zgjat 24 orë dhe përfshin sektorët publikë dhe privatë, përfshirë arsimin, shëndetësinë, transportin publik lokal, portet dhe shërbimet e taksive.
Sindikalistët kërkojnë rritje të pagave dhe pensioneve, masa për të frenuar rritjen e çmimeve, më shumë investime në arsimin dhe shëndetësinë publike, si dhe një politikë industriale që mbështet prodhimin dhe punësimin.
Një tjetër kërkesë është reforma e sistemit të taksave, në mënyrë që barra fiskale të shpërndahet në mënyrë më të drejtë. CGIL propozon vendosjen e një kontributi solidariteti për personat me pasuri shumë të mëdha, si dhe ndalimin e një fenomeni që njihet si “drenazh fiskal”.
Ky i fundit ndodh kur rritja e pagave, e shkaktuar nga inflacioni, i çon punonjësit në nivele më të larta tatimore, duke bërë që ata të paguajnë më shumë taksa edhe pse fuqia e tyre reale blerëse nuk është rritur.
Sindikalistët kundërshtojnë gjithashtu rritjen e shpenzimeve për armatimet dhe kërkojnë që më shumë fonde të orientohen drejt shërbimeve sociale.
Në protestë marrin pjesë edhe sindikatat “Cobas”, të cilat kërkojnë masa kundër shtrenjtimit të jetesës, investime më të mëdha në shërbimet sociale dhe rikthimin e mekanizmave automatikë që garantojnë përshtatjen e plotë të pagave dhe pensioneve me inflacionin real.
“Cobas” kundërshtojnë gjithashtu një marrëveshje të nënshkruar nga CGIL, CISL, UIL dhe 13 organizata të punëdhënësve, pasi sipas tyre ajo do të kufizonte më tej të drejtat e sindikatave të pavarura në sektorin privat.
Ndërkohë, ministrja italiane e Punës, Marina Calderone, deklaroi se respekton të drejtën e punonjësve për të protestuar, por mbrojti masat e ndërmarra nga qeveria, duke theksuar se ajo ka dhënë dhe po jep përgjigje ndaj kërkesave ekonomike dhe sociale.
Sindikatat CISL dhe UIL nuk i janë bashkuar grevës së përgjithshme dhe kanë zgjedhur forma të tjera mobilizimi për të kërkuar ndryshime në projektbuxhet.
CISL, e drejtuar nga Daniela Fumarola, ka organizuar një seri manifestimesh nën sloganin “Pakti që bashkon”.
Pas protestës së parë në Gjenovë, aktivitetet e radhës do të zhvillohen më 28 nëntor në Xhoja Tauro dhe më 12 dhjetor në Romë.
Ndërsa UIL, e drejtuar nga Pierpaolo Bombardieri, ka planifikuar 20 aktivitete proteste në nivel rajonal, duke kërkuar ndryshime në projektbuxhet dhe uljen e barrës së taksave vendore që vendosin rajonet dhe bashkitë.
Greva prek një pjesë të konsiderueshme të transportit publik, por jo të gjitha kategoritë e transportit.
Pas ndërhyrjes së Komisionit të Garancisë për zbatimin e ligjit të grevave, transporti ajror, ai hekurudhor dhe transporti i mallrave me tren janë përjashtuar nga greva e CGIL-së.
Megjithatë, udhëtimet me tren mund të pësojnë vonesa dhe anulime për shkak të një greve tjetër, të shpallur nga sindikatat SGB dhe Cub Trasporti. Kjo protestë nis sot në orën 21:00 dhe përfundon nesër në orën 20:00.
Në transportin publik lokal, autobusët, tramvajet dhe metrotë mund të ndërpresin shërbimin për 24 orë, por do të respektohen oraret e garantuara për udhëtarët. Disa kompani transporti në qytete të caktuara janë përjashtuar nga greva, mes tyre ATM në Milano, ATVO në Venecia, ANM në Napoli dhe AMTAB në Bari.
Orët gjatë të cilave transporti do të jetë i garantuar ndryshojnë sipas qyteteve. Në Romë, për shembull, shërbimi do të garantohet nga fillimi i ditës deri në orën 08:30, nga ora 17:00 deri në 20:00, si dhe pas orës 20:00 deri në përfundim të shërbimit.
Edhe shërbimi i taksive do të preket nga greva 24-orëshe, me respektimin e shërbimeve minimale të detyrueshme.
Në transportin detar parashikohen vonesa deri në 24 orë për nisjen e trageteve drejt ishujve të mëdhenj, ndërsa për lidhjet me ishujt e vegjël greva do të zgjasë nga ora 00:01 deri në mesnatë. Shërbimet thelbësore do të garantohen.
Greva përfshin gjithashtu punonjësit e transportit të mallrave dhe logjistikës, si dhe personelin që kujdeset për rrjetin rrugor dhe autostradat, ku do të ruhen shërbimet minimale të nevojshme për sigurinë e qarkullimit.
CGIL ka organizuar rreth 100 manifestime në të gjithë Italinë. Kreu i sindikatës, Maurizio Landini, do t’i bashkohet protestës në Romë, ku marshimi do të nisë në orën 09:30 nga sheshi “Vittorio Emanuele II” dhe do të vijojë drejt rrugës “Fori Imperiali”.
Sindikatat Cobas kanë njoftuar më shumë se 40 manifestime në nivel lokal. Në Romë, marshimi i tyre do të nisë në orën 09:30 nga sheshi “Aldo Moro” dhe do të përfundojë pranë Ministrisë së Arsimit, në rrugën “Viale Trastevere”.
Edhe studentët janë përfshirë në mobilizim, në kuadër të një proteste të organizuar në nivel evropian. Në kryeqytetin italian, marshimi i tyre do të nisë në orën 09:30 nga Porta San Paolo, në drejtim të Koloseut dhe rrugës “Via Cavour”.
Protestat synojnë të ushtrojnë presion ndaj qeverisë, për të ndryshuar projektbuxhetin dhe për të përfshirë masa më të forta në mbështetje të punonjësve, pensionistëve, studentëve dhe shërbimeve publike. /