IZRAEL – Eisenkot arrin marrëveshje koalicioni me “Demokratët”, synon t’i japë fund qeverisjes së Netanyahut
TEL AVIV, 26 nëntor /ATSH-DPA/ – Partia “Yashar” e Gadi Eisenkot ka arritur një marrëveshje paraprake koalicioni me partinë “Demokratët” e Yair Golan, duke rritur mundësinë që ish-shefi i ushtrisë izraelite, të sigurojë mbështetjen e nevojshme për krijimin e qeverisë së re izraelite.
Të dyja partitë njoftuan sot arritjen e marrëveshjes, ndërsa sqaruan se detajet përfundimtare, janë ende duke u diskutuar përpara nënshkrimit të saj.
Partia “Demokratët” deklaroi për mediet izraelite, se marrëveshja hap rrugën për t’i dhënë fund qeverisjes së kryeministrit Benjamin Netanyahu.
“Ne i premtuam publikut se do ta zëvendësonim Netanyahun dhe do të mbronim demokracinë. Dhe pikërisht këtë do të bëjmë”, shkroi Golan në rrjetin social X.
Njoftimi erdhi vetëm pak orë, pasi dy partitë rifilluan negociatat për koalicionin, të cilat “Demokratët” i kishin pezulluar në shenjë proteste, për shkak të bisedimeve të Eisenkot me partinë “Likud” të Netanyahut.
Sipas raportimeve të medieve izraelite, marrëveshja parashikon që “Demokratët” të marrin, ndër të tjera, postin e ministrit të Sigurisë Kombëtare në qeverinë e ardhshme, detyrë që aktualisht mbahet nga Itamar Ben-Gvir. Ministri i ekstremit të djathtë e kritikoi ashpër këtë zhvillim.
Të martën u bë publike edhe marrëveshja e koalicionit mes partisë “Yashar” dhe partisë opozitare “Yisrael Beiteinu”.
Demokratët mbështesin bashkëpunimin me partitë arabe
Partia e Yair Golan mbështet krijimin e një qeverie të përbërë nga partitë aktuale të opozitës, me mbështetjen e partive arabe. Megjithatë, disa prej forcave të tjera opozitare, kanë rezerva për bashkëpunimin me këto parti.
Gadi Eisenkot u ngarkua nga presidenti izraelit Isaac Herzog për formimin e qeverisë, pasi zgjedhjet e tetorit nuk i dhanë shumicën as bllokut të tij dhe as atij të Benjamin Netanyahut.
Afati fillestar për formimin e qeverisë, është 6 dhjetori, por presidenti mund ta zgjasë atë edhe me 14 ditë. /