Java Europiane e Sportit, Gonxhja: Sporti të bëhet pjesë e përditshmërisë sonë
Java Europiane e Sportit nisi më 20 shtator dhe përfundon më 30 shtator. Ajo zhvillohet në kuadër të nismës europiane “Be Active”, që synon promovimin e aktivitetit fizik dhe të një mënyre jetese më të shëndetshme.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja theksoi rëndësinë e sportit si një aktivitet që bashkon komunitetet dhe promovon vlera si solidariteti, respekti, barazia dhe përfshirja.
“Sporti është një nga gjuhët më të bukura që bashkon Europën. Ai na afron, na përfshin dhe na mëson vlerat e solidaritetit, respektit, barazisë dhe të një shoqërie më aktive”, u shpreh Gonxhja.
Në kuadër të Javës Europiane të Sportit, qytetarët inkurajohen të përfshihen në aktivitete të ndryshme fizike, pavarësisht moshës apo nivelit të përgatitjes sportive. Një shëtitje, vrap, lojë me miqtë, aktivitet në komunitet apo praktikimi i një sporti të ri konsiderohen mënyra për të rritur aktivitetin fizik në jetën e përditshme.
Gonxhja nënvizoi se nisma “Be Active” është e hapur për të gjithë, si për personat që merren rregullisht me sport, ashtu edhe për ata që dëshirojnë të nisin aktivitetin fizik.
“Le ta bëjmë sportin pjesë të përditshmërisë sonë, jo vetëm gjatë kësaj jave, por çdo ditë”, apeloi ministri.
Java Europiane e Sportit është pjesë e nismës “Be Active” të Komisionit Europian, e cila promovon aktivitetin fizik, përfshirjen dhe një mënyrë jetese më aktive në vendet europiane.
Aktivitetet e Javës Europiane të Sportit në Shqipëri zhvillohen nën mesazhin “Be Active. Be Inclusive. Be European” e do të zhvillohet në datat 23–30 shtator