Tuesday, 18 August 2026
54°F Detroit
BallinaBotaSPORT – IOC nuk do të hetojë Infantinon për akuzat lidhur me Trump

SPORT – IOC nuk do të hetojë Infantinon për akuzat lidhur me Trump

LONDËR, 24 korrik /ATSH-DPA/- Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) ka vendosur të mos nisë hetimet ndaj presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, lidhur me akuzat se ai ka shkelur rregullat olimpike për neutralitetin politik në marrëdhënien e tij me presidentin amerikan, Donald Trump.

Organizata për të drejtat e njeriut “FairSquare” paraqiti një ankesë pranë IOC-së, duke pretenduar se Infantino mund të ketë shkelur rregullat e etikës.

Në ankesë përmendej edhe vendimi i FIFA-s për të shtyrë pezullimin e ndeshjes ndaj sulmuesit amerikan Folarin Balogun, pasi Trump i kishte kërkuar personalisht Infantinos ta rishikonte vendimin.

Megjithatë, komisioni i etikës së IOC-së vendosi se nuk ka kompetencë për ta hetuar çështjen, pasi ankesa lidhej me vendime të brendshme të FIFA-s dhe mënyrën se si ajo drejton futbollin, jo me marrëdhëniet e Infantinos me IOC-në.

IOC shpjegoi se federatat ndërkombëtare sportive, si FIFA, kanë autonomi në vendimmarrjen dhe administrimin e tyre dhe se kodi i etikës së IOC-së, nuk i mbulon çështje të tilla.

Ndërkohë, “FairSquare” ka bërë edhe një ankesë të veçantë pranë komisionit të etikës së FIFA-s, duke kërkuar hetim ndaj Infantinos për disa raste ku ai dyshohet se ka shprehur mbështetje publike për politikat e Trump.

Organizata ka ngritur gjithashtu pyetje për rolin e Infantinos në krijimin e “Çmimit të Paqes të FIFA-s” dhe vendimin për t’ia dhënë atë Trump, gjatë shortit të Kupës së Botës 2026.

Çështja u bë më e debatueshme pas vendimit të FIFA-s, për të pezulluar përkohësisht dënimin me një ndeshje ndaj Balogunit, i cili ishte ndëshkuar me karton të kuq.

Trump tha më pas se kishte ndërhyrë personalisht te Infantino për rishikimin e vendimit.

Infantino deklaroi se komisionet e FIFA-s, veprojnë në mënyrë të pavarur, por komisioni disiplinor i FIFA-s nuk ka dhënë ende shpjegim të qartë për arsyet e pezullimit të dënimit.

UEFA e kritikoi vendimin, duke e cilësuar të paprecedentë, të pakuptueshëm dhe të pajustifikueshëm. /

Lini një koment