Kimberly Powell, kush është gruaja që rrëzoi kreun e “Nvidia”-s, Jensen Huang?
UASHINGTON, 26 nëntor /ATSH-ANSA/- Për gati 20 vjet, Kimberly Powell ka qenë një nga figurat më diskrete të kompanisë “Nvidia”, e njohur për punën e saj në zhvillimin e teknologjisë dhe përdorimin e inteligjencës artificiale (IA) në mjekësi.
Larg vëmendjes së publikut, ajo ka ndërtuar një karrierë të rëndësishme, duke punuar për përdorimin e inteligjencës artificiale dhe superkompjuterëve, për të ndihmuar mjekët në diagnostikimin e sëmundjeve, analizimin e radiografive dhe zbulimin e barnave të reja.
Megjithatë, emri i saj ka dalë tashmë, në qendër të vëmendjes së medieve ndërkombëtare për një arsye krejt tjetër.
Zëvendëspresidentja e divizionit të shëndetësisë në “Nvidia”, e përfshirë nga revista “Time” në listën e 100 figurave më me ndikim në shëndetësi dhe inteligjencën artificiale në mjekësi, është përfshirë në një histori që lidhet me themeluesin dhe drejtorin ekzekutiv të kompanisë, Jensen Huang.
Sipas një investigimi të gazetës “New York Times”, të mbështetur në dëshmitë e pesë ish-punonjësve të “Nvidia”-s, mes Powell dhe Huang kishte një marrëdhënie jashtëmartesore, megjithëse të dy janë të martuar.
Ata dyshohet se janë filmuar në momente afrimiteti brenda një hoteli në San Jose, në muajin mars, gjatë një konference të kompanisë.
Për Huang, kjo nuk është hera e parë që emri i tij përfshihet në raportime të tilla.
Së fundmi, ai është përmendur edhe në një tjetër çështje, që lidhet me një marrëdhënie të pretenduar me Alice Huang, e përshkruar në raportime si “spiune kineze”.
Por, kush është Kimberly Powell dhe si arriti ajo në një nga pozicionet më të rëndësishme të “Nvidia”-s?
Ajo është diplomuar në inxhinieri elektronike dhe informatike në Universitetin “Northeastern” në Boston dhe më pas ka vijuar studimet në Shkollën e Menaxhimit MIT Sloan.
Karrierën e nisi në kompani të vogla teknologjike dhe biznese që zhvillonin pajisje e produkte për mjekësinë.
Rruga e saj drejt “Nvidia”-s nisi në vitin 2008, kur iu drejtua kompanisë me idenë për të përdorur teknologjinë e saj në shërbim të mjekësisë.
Propozimi u prit me interes dhe “Nvidia” vendosi ta punësonte.
Në një intervistë të fundit, Powell e ka përshkruar këtë mundësi si një “ëndërr që u bë realitet”.
Me kalimin e viteve, ajo mori përgjegjësi gjithnjë e më të mëdha.
Fillimisht, drejtoi zhvillimin e biznesit, më pas u angazhua në programet për universitetet dhe kompanitë e reja teknologjike, përfshirë programin “Nvidia Inception”.
Në vitin 2017, u emërua zëvendëspresidente dhe drejtuese e divizionit të shëndetësisë, një pozicion që e vendosi në krye të projekteve të kompanisë, për përdorimin e inteligjencës artificiale në mjekësi.
Në këtë detyrë, Powell punonte në kontakt të drejtpërdrejtë me Jensen Huang dhe i raportonte vetë atij.
Pikërisht kjo marrëdhënie e afërt profesionale, merr një rëndësi të veçantë pas raportimeve për lidhjen e tyre personale.
Kodi i etikës së “Nvidia”-s parashikon se marrëdhëniet personale mes një drejtuesi dhe vartësit të tij të drejtpërdrejtë, përbëjnë konflikt interesi, pasi mund të ndikojnë në paanshmërinë e vendimmarrjes brenda kompanisë.
Pas publikimit të investigimit, pasojat u shfaqën menjëherë. Vetëm disa orë më vonë, Powell anuloi pjesëmarrjen e saj në samitin “E ardhmja e Shëndetësisë”, organizuar nga “Instituti Milken” në Uashington, ku ishte ftuar si një nga folëset kryesore, për të diskutuar mbi të ardhmen e mjekësisë.
Për një grua, që për gati dy dekada, ka ndërtuar karrierën duke punuar për përdorimin e teknologjisë në diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve, vëmendja e publikut është zhvendosur papritur, nga arritjet profesionale te një çështje personale, që mund të ndikojë edhe në të ardhmen e saj në “Nvidia”. /