E hënë, 16 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›KINEMA – Depardieu kërkon falje dhe tërheq apelimin kundër dënimit për sulm seksual

KINEMA – Depardieu kërkon falje dhe tërheq apelimin kundër dënimit për sulm seksual

PARIS, 16 nëntor /ATSH-AFP/ – Aktori francez, Gérard Depardieu u ka kërkuar falje viktimave të tij dhe deklaroi se ka pranuar vendimin e fajësisë për sulm seksual, në një deklaratë të publikuar sot nga avokatët e tij.

“Jam shpallur fajtor. E pranoj këtë vendim”, shkroi ai në deklaratë.

“Prandaj, u kërkoj faljen time më të thellë dhe më të sinqertë të gjitha grave, që mund të kenë vuajtur si pasojë e veprimeve të mia”, tha ai.

Seanca e apelit e Depardieu duhej të niste sot, por aktori vendosi të tërhiqte ankimimin kundër dënimit. Pas këtij vendimi, edhe prokuroria tërhoqi apelimin e saj.

Kjo do të thotë se vendimi i shkallës së parë merr formë të prerë.

Aktori ishte dënuar me 18 muaj burgim me kusht për sulm seksual ndaj dy grave gjatë xhirimeve të një filmi, si dhe ishte i detyruar t’u paguante atyre dëmshpërblim.

Gjithashtu, ai duhet të regjistrohet në regjistrin e personave të dënuar për vepra seksuale. Depardieu nuk ishte i pranishëm në seancën gjyqësore.

Akuzat ndaj aktorit

Gjatë gjyqit, një dekoratore skenografie dhe një ndihmësregjisore deklaruan se Depardieu u kishte prekur në mënyrë të papërshtatshme gjoksin dhe të pasmet në vitin 2021, gjatë xhirimeve të filmit “Les Volets Verts” (“Grilat e Gjelbra”).

Gjatë procesit gjyqësor, aktori mohoi se kishte kryer sulme seksuale ndaj dy grave.

Ai pranoi se kishte prekur ijet e dekoratores së skenografisë, por këmbënguli se veprimi i tij nuk kishte pasur qëllim seksual.

Prokuroria, nga ana tjetër, argumentoi se veprimet ishin të qëllimshme.

Në deklaratën e sotme, aktori pranoi se kishte gabuar.

“Për një kohë të gjatë, në sheshet e xhirimit jam fshehur pas provokimeve dhe sjelljeve të pahijshme. Mendoja se fjalët dhe disa nga veprimet e mia ishin të padëmshme. Nuk ishin të tilla, veçanërisht kur vinin nga dikush që kishte një pozicion pushteti, siç e kisha dikur unë”, shkroi ai.

Depardieu tha se tashmë e kuptonte kufirin “mes mungesës së etikës dhe fyerjes”.

“Unë kurrë, në asnjë rrethanë, nuk kam pasur qëllim të lëndoja gratë me të cilat kam pasur kontakt. Por kam kuptuar se qëllimi im nuk e ndryshon aspak dhimbjen që u kam shkaktuar”, shtoi aktori.

Ai renditi disa arsye për tërheqjen e apelimit, duke theksuar se procesi gjyqësor kishte qenë i rëndë për të dhe se e gjithë situata kishte shkaktuar shumë vuajtje.

Akuzat ndaj Depardieu janë shtuar prej vitesh. Javën e kaluar, disa media publikuan detaje të reja lidhur me pretendimet ndaj tij. Aktori francez ka mohuar akuzat e tjera.

Depardieu, një nga figurat e njohura të kinematografisë franceze, ka interpretuar në më shumë se 200 filma, disa prej të cilëve janë kthyer në klasika të kinemasë, si “Cyrano de Bergerac”, “Asterix dhe Obelix” dhe “Metroja e fundit”. /

Lini një koment