Kombëtarja gjen mbështetje edhe në stadiumin bosh, rreth 100 shqiptarë në krah të kuqezinjve, Muçi dhe Ramadani në tribunë
Kampi kuqezi në Budapest po bën përgatitjet e fundit për ndeshjen e fundit të grupit C1 në Ligën e Kombeve. Siç raporton Top Channel, pak orë para sfidës me Bjellorusinë, që nis në orën 18:00 në stadiumin “Illovszky Rudolf”, nga ambienti i Kombëtares vijnë disa detaje interesante.
Edhe pse takimi zhvillohet pa tifozë, si pasojë e sanksioneve të UEFA-s dhe FIFA-s ndaj Bjellorusisë, kuqezinjtë nuk do të jenë pa mbështetje. Rreth 100 shqiptarë pritet të jenë të pranishëm në stadium, mes delegacionit të FSHF-së dhe gazetarëve që kanë udhëtuar drejt Budapestit, dhe këtë herë ata do të jenë edhe tifozët e skuadrës nga shkallët e stadiumit.
Mbështetje do të japin edhe dy prej mungesave të mëdha të kësaj sfide. Ernest Muçi, i dëmtuar, nuk do të jetë as në stol, ndërsa Ylber Ramadani është i pezulluar; të dy kanë zgjedhur të qëndrojnë pranë grupit dhe do ta ndjekin ndeshjen nga tribuna si tifozë të kuqezinjve.
Një tjetër detaj ka të bëjë me uniformën: Kombëtarja do të zbresë në fushë me fanellën e bardhë, uniformën e dytë, pasi në këtë përballje konsiderohet skuadër udhëtuese, ndonëse ndeshja luhet në fushë neutrale.
Gjithçka është gati për sfidën e orës 18:00, me Shqipërinë që kërkon ta mbyllë me sukses grupin C1 në Ligën e Kombeve; takimi transmetohet drejtpërdrejt në Digitalb.