Konflikti mes të dënuarve në burgun e Shkodrës, një i arrestuar dhe një tjetër nën hetim, gjendet telefon në qeli
Një person është arrestuar dhe një tjetër është proceduar penalisht pas konfliktit fizik të ndodhur mes të burgosurve në burgun e Reçit në Shkodër.
Sipas njoftimit të Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (AMSEVP), ngjarja ka ndodhur më 18 nëntor 2026. Dy të dënuarit, S.O. dhe A.O., janë konfliktuar me një tjetër të dënuar, S.G., duke i shkaktuar dëmtime në fytyrë.
Në përfundim të veprimeve procedurale, shtetasi S.O. është arrestuar në flagrancë për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje, e kryer në bashkëpunim” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara”, ndërsa A.O. është proceduar në gjendje të lirë për veprën penale të plagosjes së lehtë me dashje, të kryer në bashkëpunim.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në dhomat e personave të përfshirë në konflikt, në qelinë e shtetasit S.O. është gjetur një aparat telefonik.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për vijimin e hetimeve.