Saturday, 26 September 2026
54°F Detroit
Ballina›Arte›Konservimi i Forumit Romak në Butrint, ndërtohet infrastruktura e sigurisë

Konservimi i Forumit Romak në Butrint, ndërtohet infrastruktura e sigurisë

Në Parkun Kombëtar të Butrintit po vijon puna për konservimin dhe mbrojtjen e Forumit Romak, një prej zonave më të rëndësishme të qendrës urbane të qytetit antik.

Kryeministri Edi Rama ndau sot momente nga puna që po kryhet çdo ditë për të ruajtur e përcjellë brez pas brezi këtë pasuri të jashtëzakonshme të historisë sonë.

Në kuadër të bashkëpunimit me Ancient Rome Live, Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit ka nisur fazën e parë për konservimin dhe mbrojtjen e Forumit Romak në Parkun e Butrintit.

Projekti synon mbrojtjen dhe ruajtjen afatgjatë të rrënojave arkeologjike të Forumit Romak dhe deri tani është ndërtuar infrastruktura e sigurisë, si dhe janë kryer ndërhyrjet riparuese në Kullën Veneciane.

Parku Kombëtar i Butrintit është një zonë e mbrojtur që ndodhet në jug të vendit, pranë qytetit të Sarandës.

Ai përfshin qytetin antik të Butrintit, një nga vendbanimet më të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri, i cili u shpall Monument Kulture në vitin 1948.

Në vitin 1992 Butrinti u përfshi në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, si një vend me rëndësi të jashtëzakonshme kulturore dhe natyrore.

Lini një koment