E enjte, 26 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Kos: Protestat paqësore nuk pengojnë integrimin, të dëgjohen shqetësimet e qytetarëve

Kos: Protestat paqësore nuk pengojnë integrimin, të dëgjohen shqetësimet e qytetarëve

Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka folur edhe për protesta në Tiranë, ku tha se protestat paqësore dhe kërkesat e qytetarëve për rezultate në luftën kundër korrupsionit, më shumë transparencë dhe mbrojtje të mjedisit janë pjesë e rëndësishme e proceseve demokratike që i shërbejnë edhe integrimit dhe nuk përbëjnë pengesë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Gjatë fjalës së saj në Këshillin Kombëtar të Integrimit Evropian, Kos theksoi se anëtarësimi në BE kërkon përgjegjësi politike nga të gjitha palët, ndërsa nënvizoi rëndësinë e dialogut dhe gjithëpërfshirjes në procesin e reformave.

“Anëtarësimi në BE kërkon përgjegjësi politike nga të gjithë. Konsultimet publike janë një mundësi për të dëgjuar shqetësimet dhe për të përmirësuar legjislacionin. Deputetët kanë përgjegjësinë për t’i sjellë shqetësimet e zgjedhësve të tyre në debat, ndërsa shoqëria civile duhet të kontribuojë në këto reforma.

Një moment i tillë duhet të sjellë dialog. Protestat paqësore janë pjesë e proceseve demokratike. Komisioni Evropian nuk mban anë në diskutimet e brendshme politike në Shqipëri. Përgjegjësia jonë është të sigurohemi që standardet e nevojshme për anëtarësimin të përmbushen”, tha ajo.

Ajo u shpreh se konsultimet publike janë një mundësi për të dëgjuar shqetësimet e qytetarëve dhe për të përmirësuar legjislacionin, ndërsa shtoi se edhe shoqëria civile duhet të ketë një rol aktiv në këto procese.

Kos nënvizoi se adresimi i shqetësimeve do të forcojë besueshmërinë dhe kredibilitetin e Shqipërisë brenda Bashkimit Evropian.

“Disa nga shqetësimet e ngritura nga protesta e fundit janë të lidhura ngushtë me çështje që kërkojnë dialog politik dhe duhet të trajtohen nga politikanët dhe institucionet e vendit.

Qytetarët që kërkojnë veprim kundër korrupsionit, transparencë më të madhe ose mbrojtje më të mirë të mjedisit mund ta ndihmojnë Shqipërinë për të çuar përpara rrugëtimin e saj drejt BE-së.

Ata nuk e pengojnë anëtarësimin e Shqipërisë në BE, përkundrazi, ofrojnë mundësinë për të ecur përpara edhe më shpejt. Kërkesat e tyre janë pasqyruar edhe në Parlamentin Evropian nga shumë shtete anëtare. Këto janë shqetësime që merren seriozisht dhe kjo do të fuqizojë besueshmërinë e Shqipërisë brenda BE-së dhe kredibilitetin e saj”, tha Kos.

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Lini një koment