Kultura dhe sporti si ura bashkëpunimi për të rinjtë e Ballkanit
Në Podgoricë të Malit të Zi u zhvillua Takimi Ministror i të Rinjve të Ballkanit Perëndimor ku Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, u përfaqësua nga zëvendësministrja Lira Pipa.
Takimi mblodhi përfaqësues të ministrive dhe partnerëve rajonalë e ndërkombëtarë për të diskutuar hapat e mëtejshëm në forcimin e bashkëpunimit rinor dhe pjesëmarrjes së të rinjve në proceset vendimmarrëse. Ky aktivitet organizohet nga RYCO dhe Ministria e Sportit dhe Rinisë e Malit të Zi, në kuadër të kryesimit të Malit të Zi të Procesit të Berlinit për vitin 2026.
Aktiviteti solli në tryezën e vendimmarrësve rekomandimet e hartuara nga vetë të rinjtë gjatë Forumit Rinor të Ballkanit Perëndimor në Budva.
MTKS theksoi se mbështetja e të rinjve dhe krijimi i më shumë mundësive për mobilitet, shkëmbim kulturor dhe bashkëpunim ndërkufitar, janë investim i drejtpërdrejtë në një rajon më të hapur dhe më të lidhur.
“Kultura dhe sporti mbeten ndër urat më të fuqishme për të afruar të rinjtë, për të njohur më mirë njëri-tjetrin dhe për të ndërtuar besim përtej kufijve”, bëri të ditur MTKS.
Në 10-vjetorin e RYCO-s (Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor), takimi shënoi gjithashtu një hap përpara për RYCOncile – RYCO Youth Trust Fund, një mekanizëm i ri që synon të mbështesë iniciativat rinore dhe të forcojë bashkëpunimin rajonal, mobilitetin, gjithëpërfshirjen dhe ndërtimin e besimit.