E mërkurë, 18 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Kurti në prag të Forumit Ekonomik Kosovë-Poloni: Nuk duam të jemi vetëm treg për të tjerët, duam të rrisim prodhimin dhe eksportet

Kurti në prag të Forumit Ekonomik Kosovë-Poloni: Nuk duam të jemi vetëm treg për të tjerët, duam të rrisim prodhimin dhe eksportet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në pritjen e organizuar në Prishtinë në prag të Forumit të Tretë Ekonomik Kosovë-Poloni, i cili do të mbahet nesër dhe pasnesër, ku takoi përfaqësues të institucioneve, komunitetit të biznesit, ekspertë dhe ndërmarrës nga të dyja vendet, sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit.

Kurti theksoi se Kosova synon të rrisë prodhimin vendor dhe eksportet, duke krijuar mundësi të reja për investime dhe bashkëpunim ekonomik me Poloninë: “Nuk duam të jemi vetëm treg për të tjerët, por të ofrojmë produkte, shërbime dhe të bëhemi partnerë nëpërmjet investimeve në Republikën e Kosovës”.

Sipas Kurtit, forumi do të përqendrohet në tri fusha kryesore: ekonominë dhe qeverisjen digjitale; mbrojtjen, sigurinë dhe teknologjitë e sigurisë kibernetike; si dhe avancimin e prodhimit, infrastrukturës dhe energjisë.

Kryeministri vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit me Poloninë, anëtare e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s — organizata ku Kosova synon të anëtarësohet — dhe rikujtoi se Polonia do të marrë pjesë në takimin e G20-s në Shtetet e Bashkuara muajin e ardhshëm.

Forumi Ekonomik Kosovë-Poloni zhvillohet në Prishtinë gjatë dy ditëve të ardhshme, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve institucionalë dhe të sektorit privat nga të dyja vendet, si mundësi për shkëmbimin e përvojave dhe krijimin e lidhjeve të reja ekonomike.

Lini një koment