Kuvendi ndan 61 mijë euro për Komisionin që do të hetojë rrethanat e vrasjes së Arlinda Zekajt
Kuvendi i Kosovës ka miratuar një buxhet prej 61 mijë eurosh për Komisionin që do të merret me hetimin e rrethanave të vrasjes së Arlinda Zekajt.
Me miratimin e këtij buxheti ka përfunduar seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës.
Komisioni pritet të ketë për detyrë shqyrtimin dhe trajtimin e rrethanave që lidhen me vrasjen e Zekajt, e cila u vra më 25 tetor.
Për këtë rast, i dyshuari kryesor është ish-kunati i saj, Albert Sylaj.
Ndërkaq, ish-bashkëshorti i viktimës, Jeton Sylaj, ishte ndaluar nga organet e rendit vetëm pak orë para vrasjes, pasi Arlinda Zekaj e kishte denoncuar për mosrespektim të urdhrit mbrojtës.
Rasti i vrasjes së saj ka nxitur reagime dhe debat publik lidhur me trajtimin institucional të rasteve të dhunës në familje dhe mbrojtjen e grave nga dhuna.