LONDËR – BM-ja vendos sanksione ndaj tetë kompanive izraelite që ndërtojnë vendbanime në Bregun Perëndimor
LONDËR, 17 nëntor /ATSH-ANSA/- Qeveria britanike ka vendosur sanksione ndaj tetë kompanive izraelite të ndërtimit, të cilat janë të përfshira në ngritjen e vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, si dhe ndaj grupit të djathtë izraelit “Tzav 9”, i akuzuar për bllokimin e dërgesave të ndihmave humanitare drejt Rripit të Gazës.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Jashtëm britanik, Ed Miliband, i cili paralajmëroi gjithashtu për rrezikun e projektit të njohur si E1, që parashikon zgjerimin e vendbanimeve izraelite në një zonë të Bregut Perëndimor, pranë Jeruzalemit Lindor.
“Mos merrni pjesë në tendera, mos ndërtoni dhe mos përfitoni nga shkatërrimi i zgjidhjes me dy shtete”, deklaroi Miliband.
Projekti E1 është kundërshtuar nga komuniteti ndërkombëtar, pasi zgjerimi i vendbanimeve në këtë zonë, mund të ndajë më tej territorin palestinez të Bregut Perëndimor dhe të vështirësojë krijimin e një shteti të ardhshëm palestinez.
Ndërkohë, grupi “Tzav 9” është vënë në shënjestër të masave britanike, për shkak të veprimeve që pengojnë kalimin e kamionëve me ndihma humanitare drejt Gazës. /