Martin Henze: Shqipëria ka nevojë për hetime të pavarura dhe një fillim të ri politik
Në një deklaratë të publikuar në platformën X, Henze kërkon hetim të plotë të skandalit të inceneratorëve deri në nivelet më të larta të qeverisë, përfshirjen e Europol-it dhe krijimin e një qeverie ekspertësh që të përgatisë zgjedhje të lira e të ndershme.
“Shqipëria ka nevojë për hetime të pavarura dhe për një fillim të ri politik.” Kështu shkruan Martin Henze në një deklaratë të gjatë të publikuar më 27 shtator në platformën X, ku kërkon që skandali i inceneratorëve të hetohet deri në nivelet më të larta të qeverisë Rama, e cila — sipas tij — e konsideron veten të legjitimuar përmes zgjedhjeve të manipuluara.
Sipas Henzes, Transparency International duhet të shqyrtojë në mënyrë të pavarur koncesionet dhe vendimmarrjen shtetërore. Kur flukset financiare kalojnë kufijtë shtetërorë, autoritetet kompetente hetimore duhet të përfshijnë Europol-in, shkruan ai në postimin e tij.
Henze kërkon që SPAK-u të hetojë, pa asnjë konsideratë politike, edhe rolin personal të kryeministrit Edi Rama, në bashkëpunim me specialistë të Zyrës Federale Gjermane të Policisë Kriminale dhe juristë të Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Evropian. Nëse ndaj Ramës lind një dyshim i mbështetur në prova dhe ekzistojnë arsye konkrete për vendosjen e një mase kufizuese të lirisë, SPAK-u — sipas deklaratës — duhet të kërkojë menjëherë caktimin e masës së arrestit në shtëpi, vendim që i takon vetëm një gjykate të pavarur, në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën.
Nëse dyshimi përforcohet gjatë hetimit, duhet të ngrihet akuzë dhe Rama duhet të largohet nga detyra gjatë periudhës së hetimit, vijon deklarata. Qeveria dhe opozita duhet të arrijnë në parlament një marrëveshje për krijimin e një qeverie ekspertësh me mandat të kufizuar në kohë, detyra e së cilës do të ishte sigurimi i dokumentacionit shtetëror, garantimi i hetimeve të pavarura dhe përgatitja e zgjedhjeve të reja, të lira e të ndershme.
Henze e mbyll deklaratën me dy parime: “Prezumimi i pafajësisë vlen për këdo. Po kështu vlen edhe parimi se askush nuk qëndron mbi ligjin.” Sipas tij, Shqipërisë i duhet tani një zbardhje e fakteve që mund të verifikohet dhe një qeveri së cilës qytetarët mund t’i besojnë për përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme.