Mbyllet Bienalja e 61-të e Venecias: 714,015 vizitorë, pjesëmarrja e dytë më e lartë në histori

Bienalja e 61-të Ndërkombëtare e Artit në Venecia u mbyll më 22 nëntor me një bilanc që e rendit ndër edicionet më të suksesshme në historinë e saj: 714,015 vizitorë gjatë gjashtë muajve të ekspozitës, siç njofton Hyperallergic.
Ekspozita qendrore «In Minor Keys» është kështu e dyta më e vizituara në historinë e Bienales, pas edicionit të vitit 2022 që numëroi mbi 800,000 vizitorë. Rezultati është edhe më domethënës po të kihet parasysh se ky edicion zgjati tre javë më pak se të mëparshmit, për t’i lënë vend instalimit të Pavijonit Qendror të rinovuar në Giardini. Vetëm në para-hapje u regjistruan gati 30,000 vizitorë, ndërsa numri i vendeve pjesëmarrëse arriti shifrën rekord prej 100.
Edicioni u kurua nga Koyo Kouoh, e cila ndërroi jetë papritur në maj 2025, në moshën 57-vjeçare, përpara hapjes së ekspozitës. Punën e saj e çoi përpara ekipi i bashkëpunëtorëve — Rasha Salti, Marie Hélène Pereira, Gabe Beckhurst Feijoo, Siddhartha Mitter dhe Rory Tsapayi — me një ekspozitë prej 109 artistësh ndërkombëtarë, shumë prej tyre nga Afrika dhe diaspora karaibiane.
Rruga e këtij edicioni nuk ishte e qetë: mosmarrëveshje politike dhe një grevë historike e punëtorëve të artit e shoqëruan Bienalen gjatë muajve të saj, por asgjë nga këto nuk i mbajti vizitorët larg sallave të Giardini-t dhe Arsenale-s.
Suksesi i Bienales së Artit vjen pas numrave më të lartë të regjistruar ndonjëherë edhe nga dy ngjarjet e tjera të mëdha të La Biennale di Venezia — Bienalja e Arkitekturës dhe Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Venecia — duke e konfirmuar qytetin lagunor si një nga kryeqendrat botërore të ngjarjeve kulturore.