Medon Berisha sheh dritë në fund të tunelit, pas gati një viti mungesë është pranë rikthimit te Lecce
Medon Berisha është pranë rikthimit në fushë pas një mungese që ka zgjatur pothuajse një vit, siç njofton Shqiptarja.com, duke i dhënë Lecce-s një alternativë të rëndësishme në mesfushë. Mesfushori i Kombëtares ka rifilluar stërvitjen me grupin dhe është pranë rikthimit në dispozicion të trajnerit Eusebio Di Francesco.
Futbollisti 22-vjeçar nuk luan që prej 12 dhjetorit 2025, kur pësoi një dëmtim të rëndë në tendinën e muskulit rectus femoris të kofshës së djathtë. Operacioni dhe vështirësitë gjatë rikuperimit e zgjatën shumë rikthimin, duke e mbajtur larg fushave për gati një vit.
Presidenti i Lecce-s, Saverio Sticchi Damiani, ka pranuar se rikuperimi i Berishës ka qenë i ngadaltë dhe me ulje-ngritje dhe se klubi nuk e kishte parashikuar një ecuri kaq të gjatë.
Sipas mediave italiane, ekziston mundësia që Berisha të jetë në listën e të grumbulluarve për transfertën ndaj Lazios në Romë, më 21 nëntor.
Sipas analizës së Calcio Lecce, prania e tij mund t’i japë Di Francescos mundësinë të ndryshojë skemën nga 4-3-3 në 4-2-3-1. Mungesa e tij është ndier edhe te Kombëtarja shqiptare, ku nuk ka mundur të jetë pjesë e kuqezinjve në ndeshjet e fundit.