Wednesday, 7 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Arte›MEPJ, marrëveshje bashkëpunimi në Shkup për studimin e trashëgimisë dokumentare shqiptare

MEPJ, marrëveshje bashkëpunimi në Shkup për studimin e trashëgimisë dokumentare shqiptare

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimi për studimin dhe promovimin e trashëgimisë dokumentare shqiptare.

Sipas MEPJ, në fokus është periudha mes dy luftërave botërore dhe trashëgimia shqiptare në rajon.

“Bashkëpunimi ka tashmë një pikënisje konkrete: dokumentet e përzgjedhura nga studiuesit e Institutit në Arkivin Historik dhe Diplomatik. Studimi i tyre do të krijojë bazën për kërkime, botime dhe veprimtari shkencore të përbashkëta”, njoftoi MEPJ.

Sipas Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, dokumentet arkivore hedhin dritë mbi veprimtarinë e përfaqësive diplomatike dhe konsullore, marrëdhëniet me komunitetet shqiptare në rajon, si dhe përpjekjet për ruajtjen e identitetit, arsimit dhe kulturës shqiptare.

“Vitet 1918–1939 sollën ndryshime të mëdha politike e shoqërore që ndikuan jetën e shqiptarëve përtej kufijve të shtetit shqiptar. Dokumentet arkivore ofrojnë dëshmi për veprimtarinë e përfaqësive diplomatike e konsullore, lidhjet me shqiptarët në rajon dhe përpjekjet për ruajtjen e identitetit, arsimit dhe kulturës shqiptare”, bëri të ditur MEPJ.

MEPJ theksoi se “vlera e një arkivi shprehet edhe në atë që ndodh pasi hapet një dosje: një fakt që sqarohet, një lidhje që zbulohet, një histori që plotësohet”.

“Duke i studiuar këto dëshmi së bashku, e sjellim trashëgiminë shqiptare më pranë studiuesve dhe publikut”, nënvizoi MEPJ.

Lini një koment