Ministri Demo: Buxheti më i madh në histori, më shumë siguri për familjet dhe shërbime më pranë qytetarëve
Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo gjatë fjalës së tij në Kuvend prezantoi prioritetet e projektbuxhetit 2027. Demo deklaroi se rritja e financimit përkthehet në më shumë siguri për qytetarët, mbështetje për punonjësit e Policisë së Shtetit dhe shërbime më cilësore në territor.
Sipas tij, buxheti i Ministrisë së Punëve të Brendshme arrin në rreth 40 miliardë lekë, me një rritje prej 12% krahasuar me vitin 2026. Ai shtoi se një nga prioritetet kryesore është politika e re e pagave, për të cilën janë parashikuar 3.3 miliardë lekë.
Ministri theksoi se rreth 8,174 punonjës policie të gradës inspektor do të përfitojnë një rritje prej 23,600 lekësh në muaj, ose 27%, ndërsa për gradat e tjera rritja do të jetë 15 mijë lekë në muaj, nga 13% deri në 17%, duke përfshirë vjetërsinë në punë.
Krahas përmirësimit të trajtimit financiar, Demo tha se 2.8 miliardë lekë do të shkojnë për investime të brendshme, ndërsa 1.85 miliardë lekë janë parashikuar për projektin “Smart City”, që synon fuqizimin e kapaciteteve teknologjike të Policisë së Shtetit, parandalimin dhe luftën kundër paligjshmërisë. Në vitin 2027 parashikohet gjithashtu nisja e investimit për Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.
Demo theksoi se mbështetja më e madhe për Policinë duhet të shoqërohet me profesionalizëm dhe llogaridhënie, duke veçuar reformën në Akademinë e Sigurisë, me mbështetjen e institucioneve homologe italiane, si një hap të rëndësishëm drejt standardeve më të larta të formimit policor.
Në fokus të buxhetit është edhe pushteti vendor. Transferta nga shteti për bashkitë do të arrijë në 49.4 miliardë lekë, me rritje 4%, ndërsa Granti i Performancës do të vijojë me 200 milionë lekë për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve. Reforma Territoriale, decentralizimi dhe forcimi i kapaciteteve financiare e administrative të bashkive do të jenë gjithashtu prioritete për vitin 2027.
Ministri u ndal edhe te rindërtimi, duke bërë të ditur se 1.8 miliardë lekë nga buxheti i vitit 2026 do t’i akordohen Bashkisë së Tiranës për përshpejtimin e procesit, ndërsa i njëjti nivel mbështetjeje financiare për bashkitë e prekura nga tërmeti parashikohet edhe për vitin 2027.
Në përfundim, Demo theksoi se vlera e këtij buxheti matet mbi të gjitha me ndryshimet konkrete në jetën e qytetarëve, më shumë siguri publike, shërbime më cilësore dhe institucione më pranë tyre.
Fjala e plotë e ministrit Demo:
Së pari është përmendur gjatë gjithë ditës sot, që ky është buxheti më i madh që ky parlament do të votojë, por e rëndësishme është arsyeja pse ky buxhet është më i madhe. Patjetër ajo fillon me rritjen reale që ne tashmë kemi për Produktin e Brendshëm Bruto, investimet e huaja në nivele të qëndrueshme, turizmi një sektor që vazhdon dhe zgjerohet me ritme të shpejta, inflacioni nën kontroll, stabilitet fiskal dhe patjetër borxhi në parametra optimal. Por, patjetër që nuk është e rëndësishme vetëm sa shpenzojmë, por çfarë ndryshon për qytetarin. Duke u referuar se çfarë mbulon Ministria e Brendshme, që është siguria publike dhe Pushteti Vendor, të cilat nuk janë dy fusha që nuk përkojnë më njëra-tjetrën, sepse siguri publike do të thotë edhe se si funksion një qytet, edhe hapësirat publike dhe shërbimet e qytetarëve dhe patjetër sa afër janë institucionet pranë tyre.
Siguria publike është shtrati kryesor i çdo zhvillimi qëndrueshëm ekonomik dhe në mënyrë absolute ajo ofron në të njëjtën kohë dhe të gjithë kushtet e duhura për sa i përket dhe zhvillimit të sektorëve specifikë sidomos duke iu referuar turizmit. Prandaj buxheti matet me ndryshimet që sjell në jetën e qytetarëve.
Por, do të ndalem specifikisht te Ministria e Punëve të Brendshme dhe sidomos te Policia e Shtetit. Këtë vit, buxheti i Ministrisë së Punëve të Brendshme shkon afërsisht në 40 miliardë lekë, një rritje dyshifrore krahasuar me vitin 2026, plot 12% më shumë.
3,3 miliardë lekë janë të fokusuara te politika e re e pagave për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit. Bëhet fjalë për 8,174 punonjës policie të gradës “Inspektor”, të cilët do të kenë një rritje prej 23 600 lekësh, duke përfshirë edhe vjetërsinë në punë. Një rritje prej 27%.
Por, në të njëjtën kohë, rritje do të përfitojnë edhe të gjitha gradat e tjera, prej 15 mijë lekësh në muaj. Në momentin kur përfshihet edhe vjetërsia në punë, rritja do të jetë nga 13% deri në 17%. Kjo është rritja më e lartë e pagave që ne kemi për Policinë e Shtetit në vitet e fundit.
Nuk duhet të harrojmë se pas çdo uniforme është një njeri, një familje, të cilët po ashtu sakrifikojnë po aq sa punonjësit e policisë, për sa i përket përmbushjes së funksioneve dhe detyrave që këta burra dhe gra ushtrojnë në Policinë e Shtetit.
Në fakt ajo çfarë është e rëndësishme nuk është vetëm trajtimi financiar i punonjësve në Policinë e Shtetit, por patjetër duke përmirësuar kushtet, logjistikën dhe investimet në teknologji dhe pajisje të cilat janë të domosdoshme.
Është tashmë garantuar falë dhe politikës së Ministrisë së Financës që të gjitha orët jashtë orarit, uniformat, karburanti, mirëmbajtja, kompensimi ushqimor do të jenë 100% të mbuluara.
Investimet e brendshme do të jenë 2.8 miliardë lekë dhe ne parashikojmë që për 2027 të fillojmë një investim të ri për sa i përket Drejtorisë Policisë Vendore në Tiranë. Një investim i shumë pritur jo thjesht nga punonjësit e Policisë së Shtetit, por patjetër për të garantuar dhe kushtet e duhura për të gjitha funksionet që mbulon kjo drejtori.
Në të njëjtën kohë janë 1.85 miliardë lekë financimi i parashikuar për “Smart City”-n. Një nismë e rëndësishme për sa i përket jo thjesht fuqizimit të teknologjive në dispozicion të Policisë së Shtetit, por për të garantuar gjithashtu luftën që Policia e Shtetit bën dhe parandalimin për sa i përket të gjithë atyre elementëve të jashtëligjshëm që ne hasim në territor.
Por është e padiskutueshme që më shumë mbështetje për Policinë e Shtetit kërkon më shumë profesionalizëm dhe llogaridhënie nga të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit dhe unë jam i bindur që me reformën që ne tashmë do të fillojmë edhe në Akademinë e Sigurisë, me mbështetjen e institucioneve homologe duke filluar me shtetin italian, ne do të arrijmë nivele profesionale për gjithë brezin e ri të punonjësve të policisë dhe të gjithë atyre të cilët do të kenë rritje profesionale për sa i përket sistemit të gradave shumë më të mira nga çfarë kemi deri tani.
Kuptohet që portofoli i Ministrisë së Brendshme, mbulon siç e përmenda në fillim dhe pushtetin vendor, i cili në fakt është i rëndësishëm.
Së pari, për një arsye madhore, ku qytetari nuk e ndan shtetin midis Ministrisë, midis Pushtetit Vendor, midis agjencive rajonale, por shteti është një, dhe shërbimet që ne i ofrojmë qytetarëve duke filluar që nga ato më baziket, rruga, pastrim, standartet në kopshte, në çerdhe, në shkolla, hapësirat publike, përgjigje ndaj ankesave, janë të trajtuara përgjithësisht nga Pushteti Vendor.
Qeveria qendrore dhe bashkitë kanë një përgjegjësi të përbashkët, për sa i përket cilësisë së jetesës në territor dhe shteti për qytetarin është vetëm një.
Më buxhetin e 2027-s shpenzimet vendore pritet të rriten me plot 3%. Transferta nga shteti do të rritet me 4% dhe do të shkojë në 49.4 miliardë lekë.
Transferta e pakushtëzuar përsëri do të ketë një rritje prej 5.2% krahasuar me vitin 2026 në 29.3 miliardë lekë. Dhe transferta sektoriale do të rritet me 2.4% në 19.9 miliardë lekë.
Patjetër që këto do të thonë më shumë kopshte, më shumë rrugë, përmirësim i shërbimeve të ndryshme si ai i pyjeve, ujitjes, kullimi, e të tjerë me radhë. Më shumë financim do të sjellë jo thjesht shërbime më të mira, por patjetër një lidhje më e fortë midis qytetarit dhe bashkive.
Kur flasim për pushtetin vendor, Reforma Territoriale do të zërë një vend të rëndësishëm në 2027. Patjetër ne sot miratojmë dhe kohëzgjatjen e Komisionit të Posaçëm për pjesën e dytë të reformës, e cila është shumë e rëndësishme kur ne flasim për funksionet që kanë bashkitë dhe aq më tepër duke analizuar përmbushjen e tyre dhe duke sjellë në të njëjtën kohë hapësira të reja për sa i përket mundësive të financimit që janë të domosdoshme për përmirësimin e këtyre funksioneve në territor.
Ne vazhdojmë në 2027-ën Grantin e Performancës, i cili do të financohet me 200 milionë lekë dhe i bën bashkitë jo thjesht të incentivuara për të rritur performancën, për sa i përket treguesve nga pikëpamja e strategjive që tashmë janë miratuar, por dhe impakt direkt tek shërbimet që ato ofrojnë, duke filluar me shkollat, me kopshtet, me çerdhet dhe të gjitha shërbimet bazike në territor.
Decentralizimi, kompetencat, financimi, përgjegjësia në fakt do të jetë fokusi në 2027 jo thjesht i reformës, por patjetër i vazhdimësisë së Komisionit të Posaçëm.
U përmend rindërtimi pak më parë dhe do më duhet të them dy fjalë në fakt. Pavarësisht se nuk prek direkt buxhetin 2027, se ne po bëjmë shumë edhe me buxhetin 2026. Në fakt buxheti i shtetit kishte planifikuar për vitin 2026, plotë 5 miliardë lekë për rindërtimin, i fokusuar në të gjitha qarqet që janë prekur nga tërmeti.
Ajo çfarë ne po bëjmë në fund të vitit, që 1.8 miliardë lekë nga fondi prej 5 miliardë do t’i akordohet Bashkisë së Tiranës, për ta mbështetur bashkinë krahas fondeve që vijnë nga të ardhurat e bashkisë së Tiranës, që ne të përshpejtojmë procesin e rindërtimit. Por, mos të harrojmë në të njëjtën kohë atë çfarë është bërë në të gjitha qarqet e tjera, me një financim prej plot 3.2 miliardë lekësh në vitin 2026.
Në fakt 2027-ën, po ashtu planifikohet i njëjti nivel, për sa i përket mbështetjes financiare për të gjitha ato bashki, të cilat u prekën. Duhet të kuptojmë që kjo mbështetje financiare, do të thotë më shumë shtëpi për ata të cilët u dëmtuan.
Do të thotë më shumë mundësi për sa i përket çifteve të reja, duke marrë në konsideratë dhe Ligjin e Strehimit që ne do të kalojmë po sot në parlament. Prandaj në mënyrë absolute për sa i përket asaj çfarë ne të gjithë jemi të interesuar, cilësisë së jetesës në territor, siguri publike më e lartë, absolutisht ne duhet ta marrim në konsideratë pozitivisht këtë projektbuxhet dhe vota duhet të jetë po nga të gjithë ne.