E hënë, 16 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kombetarja›Mrekullia e Muçit dhe i zakonshmi Manaj, Shqipëria likuidon Finlandën dhe është një hap larg fitores së grupit

Mrekullia e Muçit dhe i zakonshmi Manaj, Shqipëria likuidon Finlandën dhe është një hap larg fitores së grupit

Shqipëria ka marrë një fitore të madhe në “Air Albania”, duke mundur Finlandën 2-0 në Ligën e Kombeve dhe duke u afruar vetëm një hap larg fitores së grupit, siç raporton Panorama Sport.

Protagonisti i mbrëmjes ishte Ernest Muçi. Sulmuesi kuqezi hapi rezultatin në minutën e 35-të, me një gol që do të kujtohet gjatë — një kryevepër që ndezi stadiumin dhe i dha Shqipërisë avantazhin e merituar pas një pjese të parë ku kishte dominuar.

Në fillim të pjesës së dytë, në minutën e 50-të, Rei Manaj dyfishoi shifrat: sulmuesi, që festonte ndeshjen e 50-të me Kombëtaren, shënoi me kokë pas krosimit të Elseid Hysajt, duke vulosur mbrëmjen e tij jubilare.

Detyra e finlandezëve u bë edhe më e vështirë në minutën e 67-të, kur Miro Tenho u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje të rëndë ndaj Muçit, duke e lënë Finlandën me 10 lojtarë për pjesën e mbetur të ndeshjes.

Kuqezinjtë menduan se e kishin mbyllur gjithçka në minutën e 83-të, por goli i Mirlind Dakut u anulua, sepse topi kishte dalë jashtë para asistit të Arbër Hoxhës. Ndërkaq, kartoni i verdhë i Ylber Ramadanit në pjesën e dytë do t’i kushtojë mesfushorit pezullimin për ndeshjen e së dielës.

Me këtë fitore, Shqipëria është një hap larg fitores së grupit. Sfida e radhës luhet të dielën, sërish në “Air Albania”, ndaj Bjellorusisë.

Lini një koment