E hënë, 16 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kombetarja›Nga Interi te Kombëtarja shqiptare, Vukaj mahnit trajnerin Tafaj: Më kujton Jamal Musialën

Nga Interi te Kombëtarja shqiptare, Vukaj mahnit trajnerin Tafaj: Më kujton Jamal Musialën

Fatjon Tafaj beson se Alen Vukaj, talenti shqiptar i Primavera-s së Interit, ka potencial për t’u rritur edhe më shumë te klubi zikaltër, raporton Top Channel.

Sipas trajnerit të Kombëtares U-19, pas golit spektakolar ndaj Feyenoordit dhe një tjetër realizimi mjaft të bukur kundër Shakhtar Donetsk në UEFA Youth League, Vukaj duhet të vijojë procesin e maturimit përmes punës, përkushtimit dhe dëshirës për të arritur majat.

Tafaj pranon se përshypja e parë për Vukajn nuk ishte plotësisht ajo që priste. Kur sapo ishte emëruar trajner, paraqitja e lojtarit në seancën e parë stërvitore nuk ishte në nivelin e pritshmërive, ndërsa futbollisti vinte edhe pas një dëmtimi, që mund të ketë ndikuar në gjendjen e tij fizike dhe në ritmin e stërvitjes. Në ndeshjen e parë i dha pak hapësirë dhe ai luajti vetëm disa minuta, por në të dytën prania e tij në fushë pati një ndikim dukshëm pozitiv dhe trajneri nisi të kuptonte më mirë cilësitë dhe potencialin e tij. Që nga ai moment, paraqitjet e Vukajt kanë ardhur vazhdimisht në rritje dhe sot ai e ka fituar vlerësimin dhe besimin e trajnerit.

“Mendoj se Aleni është një lojtar që mund të ndikojë pozitivisht te skuadra, jo vetëm falë cilësive individuale, por edhe mënyrës se si e kupton dhe e interpreton lojën. Është një futbollist që merr përsipër përgjegjësi, nuk fshihet në momentet e vështira dhe ka aftësinë të marrë iniciativa për të ndihmuar ekipin”, shprehet Tafaj.

Me Kombëtaren U-19, Vukaj ka luajtur 7 ndeshje dhe ka dhënë 4 asitime. Tafaj e cilëson atë ndër lojtarët me teknikën më të mirë të skuadrës, shumë të aftë në zgjidhjen e situatave një kundër një dhe një kundër dy, si dhe me një inteligjencë të madhe në lojë.

I pyetur me cilin futbollist të njohur do ta krahasonte Vukajn për mënyrën e lojës, Tafaj u përgjigj se, duke marrë parasysh nivelin teknik, inteligjencën taktike dhe aftësinë për të zgjidhur situatat individuale, i riu shqiptar ka karakteristika të ngjashme me Jamal Musialën. “Për këtë nuk kam asnjë dyshim”, thekson trajneri.

Lini një koment