Një pyetje që kërkon përgjigje pas takimit të Kryeministrit në Michigan
Shpërndaje:

Si është e mundur që Kryeministri i Shqipërisë të vijë në Michigan për një takim të paraqitur si takim me komunitetin shqiptar dhe qytetarët të përballen me lista emrash, sikur të bëhej fjalë për një aktivitet privat?
Këtu ndryshon thelbi i çështjes. Edi Rama nuk erdhi në atë sallë thjesht si kryetar i Partisë Socialiste. Ai u paraqit si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, ndërsa në takim u fol edhe për hapjen e Konsullatës Shqiptare në Detroit një institucion që duhet t’u shërbejë të gjithë shqiptarëve, pa dallim bindjeje politike.
Atëherë lindin disa pyetje të drejtpërdrejta:
Kush i përpiloi listat e pjesëmarrësve?
Kush vendosi kush hynte dhe kush mbetej jashtë?
Me çfarë kriteri përzgjidheshin shqiptarët që mund të merrnin pjesë në një takim me Kryeministrin?
Dhe nëse takimi ishte vërtet i hapur për komunitetin, pse duhej të kishte filtra?
Ne kemi ardhur në Shtetet e Bashkuara dhe jetojmë në një vend ku fjala e lirë dhe e drejta për të pyetur një zyrtar publik janë themelore. Askush nuk duhet të ndihet sikur duhet të marrë leje politike për të hyrë në një takim që prezantohet si takim me komunitetin shqiptar.
Dhe kam edhe një pyetje për ata që u regjistruan dhe hynë në sallë: u regjistruat thjesht si shqiptarë të Michiganit, apo ju kërkua ndonjë kriter tjetër? A patët mundësi të bënit pyetje të lira dhe kritike, apo vetëm të dëgjonit?
Këto janë pyetje që meritojnë përgjigje. Sepse kur një Kryeministër takohet me diasporën, ai përfaqëson shtetin shqiptar dhe jo vetëm njerëzit që e mbështesin politikisht.
Komuniteti shqiptar në Michigan nuk është pronë e asnjë partie. Konsullata që do të hapet në Detroit duhet të jetë shtëpia e çdo shqiptari.
( Marre nga Facebook i autorit )