Thursday, 25 June 2026
54°F Detroit
BallinaArteOdise Plaku: Letërsia nuk është vetëm art i fjalës, por është një mënyrë për të mbrojtur identitetin

Odise Plaku: Letërsia nuk është vetëm art i fjalës, por është një mënyrë për të mbrojtur identitetin

 Nga Julia Vrapi

Drama shqipe në skenat tona teatrore trajton tematika të ndryshme, ndërsa është pjesë e kulturës kombëtare, si dhe e zhvillimit të artit skenik shqiptar. Herë pas here nga autorë të ndryshëm është pohuar rëndësia e vënies në skenë të veprave shqiptare për të promovuar krijimtarinë tonë. Në skenat teatrore janë vënë veprash të ndryshme, drama dhe komedi shkruar edhe nga dramaturgu Odise Plaku, që sjellin në vëmendje tema të rëndësishme, duke pasuruar repertorin e teatrit në vendin tonë.

Për lexuesin autori Odise Plaku është i njohur me vepra skenike dhe vëllime letrare dhe ai thekson, se fjala shqipe është një pasuri që ruan historinë dhe identitetin e kombit. Në krijimtarinë e tij autori Odise Plaku thotë se synon të pasurojë trashëgiminë letrare dhe kulturore shqiptare. “Prej vitesh, në qendër të krijimtarisë sime ka qenë fjala shqipe, kjo pasuri e vyer që mbart kujtesën, historinë dhe shpirtin e kombit tonë.

Në çdo dramë, monodramë, tregim apo tekst që kam shkruar, kam kërkuar të ruaj dhe të pasuroj trashëgiminë tonë letrare, duke i dhënë zë historive, dhimbjeve, dashurive, sakrificave dhe ëndrrave të njerëzve tanë. Besoj se letërsia nuk është thjesht art i fjalës, ajo është një mënyrë për të mbrojtur identitetin, për të përcjellë kujtesën nga një brez te tjetri dhe për të mbajtur gjallë vlerat që na bëjnë shqiptarë”, thotë Odise Plaku që është shkrimtar, poet dhe dramaturg me një krijimtari të pasur. Odise Plaku është autor i mbi 25 vëllimeve për fëmijë dhe të rritur, si dhe i rreth 20 veprave skenike, përfshirë drama, komedi dhe monodrama.

Veprat në skena

Në skenën teatrore shqiptare, por edhe jashtë kufijve janë vënë mbi dhjetë vepra të autorit Odise Plaku. “Klithma e një nëne të marrë”, “Shtëpia e re”, “Amber Alert”, “Engjëjt” apo “Pleqëri me kusure” janë vetëm disa prej tyre. Autori Odise Plaku, i cili thotë se krijimtaria  e tij ime ka qenë  një përpjekje e vazhdueshme në pasurimin e trashëgimisë sonë kulturore e kombëtare ai gjithashtu sjell në vëmendje edhe bashkëpunimet që ka pasur me regjisorë e aktorë për veprat në skena.

“Krijimtaria ime ka qenë dhe mbetet një përpjekje e vazhdueshme për t’i shërbyer gjuhës shqipe dhe për të kontribuar, sado pak, në pasurimin e trashëgimisë sonë kulturore e kombëtare. Sepse kombet jetojnë përmes historisë së tyre, por mbeten të gjalla përmes fjalës. Me mirënjohje të veçantë falënderoj të gjithë lexuesit që i kanë dhënë jetë fjalës sime të shkruar përmes vëmendjes, ndjeshmërisë dhe interpretimit të tyre.

Një falënderim shkon edhe për regjisorët që kanë besuar në vizionin tim artistik dhe kanë gjetur në këto faqe frymëzim për krijimet e tyre skenike e filmike. Po aq mirënjohës jam ndaj aktorëve, të cilët me talentin, zërin dhe shpirtin e tyre u kanë dhënë frymë personazheve dhe historive të lindura nga pena ime”, thotë më tej autor Odise Plaku. Herë pas here në reagimet e tij autori Odise Plaku ka pohuar rëndësinë që kanë veprat shqipe në skenë, ku sipas tij edhe konkurset për dramaturgjinë kanë një rëndësi të madhe në zhvillimin e kësaj fushe.

Lini një koment