E premte, 20 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Operacioni “Request” në Tiranë, arrestohet 25-vjeçari që kërkonte 1 milion euro duke u prezantuar si funksionar publik

Operacioni “Request” në Tiranë, arrestohet 25-vjeçari që kërkonte 1 milion euro duke u prezantuar si funksionar publik

Një 25-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Tiranë, në kuadër të operacionit të koduar “Request”, pasi, siç njofton Policia e Shtetit, po merrte paratë që kërkonte nga një 54-vjeçar duke u prezantuar në platforma online si funksionar publik.

Sipas Policisë, 54-vjeçari kishte denoncuar se dyshonte se e kishin mashtruar në platforma komunikimi online, nëpërmjet përdorimit të identitetit të një funksionari publik, për t’i marrë 1 milion euro.

Menjëherë pas denoncimit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme Operacionale, kryen veprime hetimore me metoda speciale dhe ndërhynë për arrestimin në flagrancë të autorit, shtetasit A. M., 25 vjeç, banues në Tiranë, në momentin kur po merrte paratë.

Hetimi vijon për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale shtetas të tjerë të përfshirë në këtë rast dhe në raste të tjera me të njëjtin mekanizëm kriminal.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim.

Lini një koment