E martë, 17 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kombetarja›Pavarësisht humbjes me Finlandën, Kombëtarja U17 arrin objektivin, kualifikohet në raundin e dytë të League A për Evropianin e 2027

Pavarësisht humbjes me Finlandën, Kombëtarja U17 arrin objektivin, kualifikohet në raundin e dytë të League A për Evropianin e 2027

Kombëtarja shqiptare U17 e mbylli raundin e parë të kualifikueseve të Kampionatit Evropian U17, të vlefshme për UEFA EURO 2027, me një humbje 1-3 ndaj Finlandës, raporton Top Channel. Pavarësisht rezultatit, kuqezinjtë e trajnerit Armand Dama siguruan vendin e dytë në Grupin 4 dhe kalimin në raundin e dytë kualifikues në League A.

Shqipëria e nisi mirë ndeshjen dhe kaloi e para në avantazh me golin e Haxhi Rrenës në minutën e 17-të. Finlanda reagoi në pjesën e dytë dhe e përmbysi rezultatin brenda pak minutash: Launiala barazoi në minutën e 61-të me penallti dhe vetëm tri minuta më vonë shënoi edhe golin e dytë, ndërsa në minutën e 90+7 Aho vulosi fitoren 3-1 të finlandezëve.

Në përfundim të tri ndeshjeve të mini-turneut, Kombëtarja U17 u rendit e dyta në Grupin 4 me 4 pikë, pas Finlandës që i mbylli me pikë të plota, 9. Skocia u rendit e treta me 3 pikë, ndërsa Suedia e fundit me 1 pikë.

Përfundimi në dy vendet e para të grupit i siguroi Shqipërisë U17 kalimin në raundin e dytë kualifikues në League A, që do të zhvillohet në mars 2027. Në këtë fazë do të marrin pjesë 28 kombëtare, 14 fitueset e grupeve dhe 14 skuadrat e renditura në vendin e dytë në raundin e parë, dhe prej saj do të përcaktohen shtatë kombëtaret që do t’i bashkohen Letonisë, vendit organizator, në fazën finale të Evropianit U17, nga 24 maji deri më 6 qershor 2027.

Lini një koment