Sunday, 18 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Politika›Përballja e parë televizive El-Sayed – Rogers: sulme personale dhe përplasje për Iranin, tarifat dhe taksën e benzinës

Përballja e parë televizive El-Sayed – Rogers: sulme personale dhe përplasje për Iranin, tarifat dhe taksën e benzinës

Kandidatët për Senatin e SHBA-së nga Michigani u përballën mbrëmjen e së enjtes në Grand Rapids, në debatin e parë live mes tyre; lufta me Iranin dhe tarifat ndaj Kanadasë dominuan përplasjet më të ashpra.

Artikulli

Kandidati demokrat Abdul El-Sayed dhe ai republikan Mike Rogers shkëmbyen akuza të ashpra dhe sulme personale mbrëmjen e së enjtes në debatin e parë televiziv mes tyre për vendin e Senatit amerikan nga Michigani, siç raporton USA Today, e cila ndoqi drejtpërdrejt përballjen në Grand Rapids. Debati, i moderuar nga gazetari Rick Albin për televizionin WOOD-TV8, zgjati një orë dhe u karakterizua nga ndërprerje të vazhdueshme dhe shkëmbime aq të tensionuara saqë diskutimi vazhdoi edhe gjatë pushimeve për reklama.

Të dy kandidatët ranë dakord për një pikë: mbështesin pezullimin e taksës federale të benzinës prej 18 centësh për gallon, një propozim që e ka mbështetur edhe presidenti Donald Trump. El-Sayed tha se i duhen më shumë se 80 dollarë për të mbushur rezervuarin e makinës dhe fajësoi luftën në Iran si arsyen kryesore të çmimeve të larta, duke shtuar se kjo luftë është “duartrokitur” nga rivali i tij republikan. Rogers nga ana e tij tha se ka qenë agresiv për një pauzë të taksës në nivel shtetëror e federal, propozoi rimbursim për naftën për të ndihmuar fermerët në vështirësi dhe theksoi se lufta “duhet të përfundojë”.

Lufta me Iranin ishte një nga temat më të nxehta, shkruan USA Today. Të dy thanë se kundërshtojnë vazhdimin e përfshirjes amerikane, por u përplasën për detajet: Rogers argumentoi se lufta duhet të mbyllet pasi kapacitetet ushtarake janë dobësuar mjaftueshëm, ndërsa El-Sayed e quajti konfliktin “budalla”, në të cilin Trump nuk duhej të ishte futur kurrë. “Kjo është lloji i politikës që do të merrni nga një njeri që dëshiron të jetë kukull e administratës Trump,” tha El-Sayed. “Ai thotë ‘hidhu’, ai pyet ‘sa lart?'” Rogers ia ktheu duke e akuzuar se tingëllon “si një chatbot i prishur me inteligjencë artificiale” që përsërit të njëjtat gjëra.

Moderatori i pyeti të dy për luftën tregtare me Kanadanë — një pyetje veçanërisht e mprehtë për Rogers-in, i cili, siç njofton Reuters, këtë javë u shkëput nga Trump duke kërkuar në një reklamë të re fundin e “luftës së tarifave” me fqinjin verior. Në debat, Rogers tha se do të donte “të shihte një marrëveshje” dhe se kishte telefonuar Shtëpinë e Bardhë dhe sekretarin e Tregtisë këtë javë. El-Sayed e sulmoi menjëherë: “Arsyeja pse ai po ndryshon qëndrim nuk ka të bëjë me politikën, nuk ka të bëjë me kostot tuaja, por me sondazhet e tij që po bien.”

Përballja u bë gjithnjë e më personale. Rogers e akuzoi kundërshtarin, ish-drejtor i shëndetit publik të Detroitit, se “nuk është vërtet mjek” — El-Sayed ka diplomë mjekësie nga Universiteti Columbia, por nuk është mjek praktikant. Demokrati ia ktheu duke e quajtur Rogers-in “të dobët” dhe një njeri që “nuk ngrihet derisa t’i bien sondazhet”, shkruan USA Today.

Mike Rogers
Mike Rogers. Foto zyrtare e Kongresit amerikan (domen publik).

Rogers preku edhe rrënjët e El-Sayed-it, fëmijë i emigrantëve egjiptianë, dhe përmendi nënën e tij, Fatten Elkomy, e cila në vitet ’90 punoi për një organizatë bamirësie të njohur si Islamic African Relief Agency — të cilën Departamenti amerikan i Thesarit e shpalli më vonë rrjet mbështetës të terrorizmit. Elkomy nuk u akuzua kurrë penalisht. “Po sulmon nënën time?” iu përgjigj El-Sayed, duke e akuzuar Rogers-in se e kishte quajtur terrorist në mënyrë të tërthortë gjatë gjithë debatit. Rogers e akuzoi gjithashtu se nuk e ka dënuar Hamasin dhe se nuk e kujroi përvjetorin e sulmit të 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit; El-Sayed i mohoi të dyja.

Nëse zgjidhet, El-Sayed do të bëhej senatori i parë mysliman në historinë e SHBA-së — dhe tema u ndoq me vëmendje edhe nga udhëheqësit hebrenj të Michiganit, me të cilët demokrati ka një marrëdhënie të tensionuar. Presidenti Trump e kishte sulmuar më herët El-Sayed-in në Truth Social, duke e quajtur vazhdimisht “Mohammed” dhe “simpatizant terroristësh” — sulm të cilit El-Sayed iu kundërpërgjigj pak orë para debatit.

Sondazhet tregojnë një garë të ngushtë: një anketë e Fox News e publikuar më 30 shtator e vendoste El-Sayed-in në 50 për qind kundrejt 49 për qind të Rogers-it, brenda marzhit të gabimit. Debati i dytë mes tyre do të mbahet më 21 tetor në Detroit, i organizuar nga WXYZ-TV.

Lini një koment