E hënë, 16 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Përleshje mes dy personave në Burgun e Durrësit, plagoset me thikë një prej tyre! Hetime se kush e futi armën në qeli

Përleshje mes dy personave në Burgun e Durrësit, plagoset me thikë një prej tyre! Hetime se kush e futi armën në qeli

Një konflikt mes dy të burgosurve në burgun e Durrësit ka përfunduar me plagosjen e njërit prej tyre. Ngjarja është regjistruar një ditë më pare (15 nëntor), ku, sipas Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (AMSEVP), i burgosuri M.B., ka goditur me një mjet prerës të burgosurin tjetër, I.B.

Pas ngjarjes, autoritetet kanë kryer arrestimin në flagrancë të M.B., ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

Ndaj tij rëndojnë akuzat për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale”, të parashikuara nga nenet 89 dhe 324/a të Kodit Penal.

Ndërkohë, AMSEVP ka nisur verifikimet për të evidentuar nëse ka punonjës të burgut të përfshirë në shkelje ligjore lidhur me ngjarjen.

Njoftimi i plotë:

“Në datën 15.11.2026, në IEVP Durrës, nga Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale është kryer arrestimi në flagrancë i shtetasit të burgosur M. B., pasi gjatë një konflikti ka goditur me anë të një mjeti prerës shtetasin e burgosur I.B

Nga AMSEVP dërgohen materialet procedurale për veprime të mëtejshme në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, në ngarkim të shtetasit të burgosur M. B. për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit te vendimeve penale”, të parashikuara nga nenet 89 dhe 324/a të Kodit Penal.

Nga AMSEVP po kryhen verifikimet e mëtejshme për punonjësit e kësaj IEVP-je të përfshirë në paligjshmëri.

AMSEVP inkurajon qytetarët dhe mediat të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së detyrës nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 044 20 40 20, ose duke dërguar email në adresën info@amsevp.gov.al”.

Lini një koment