Picasso me sytë e Paul Smith: hapet sot në Auckland ekspozita me mbi 80 vepra nga muzeu i Parisit
Hapet sot në Auckland Art Gallery Toi o Tāmaki një nga ekspozitat më ambicioze të vitit për artin modern: “Picasso: Designed by Paul Smith”, një retrospektivë që sjell mbi 80 vepra të Pablo Picasso-s nga koleksioni i Musée national Picasso-Paris, siç njofton Art News Aotearoa.
Ekspozita ndjek momentet kyçe të karrierës së artistit spanjoll — nga Periudha Blu dhe ajo Rozë te kubizmi që e vuri në hartën e artit botëror — duke përfshirë piktura, skulptura, qeramika, grafika dhe vizatime. Sipas galerisë së Auckland-it, ka kaluar më shumë se 30 vjet qëkur një ekspozitë e madhe personale e Picasso-s është parë në Aotearoa Zelandën e Re, çka e bën këtë ngjarje një rast të rrallë për publikun vendas.
Ajo që e dallon këtë retrospektivë është skenografia: ajo është ideuar nga Sir Paul Smith, një prej dizajnerëve më të njohur britanikë të modës, i cili u bë i famshëm me shiritin e tij karakteristik shumëngjyrësh dhe që ka ndërtuar një markë globale me mbi 70 vende prezence. Në 15 seksione, Smith përgjigjet ndaj imazheve, stileve dhe materialeve të Picasso-s, duke eksperimentuar me ndriçim, trajtime muri e dyshemeje dhe motive vizuale që lidhen me interesin e përbashkët të të dyve për objektet, veshjen dhe lojën.
“Dizajni im nuk është akademik”, citon Art News Aotearoa fjalët e Smith-it. “Po përpiqem ta çoj vizitorin në një udhëtim vizual që i nxit t’i shohin kryeveprat e Picasso-s me një sy të ri, me shpresën të angazhoj audienca më të reja dhe ato që nuk e njohin mirë veprën e këtij mjeshtri të madh.”
Ekspozita organizohet nga Auckland Art Gallery Toi o Tāmaki në bashkëpunim me Musée national Picasso-Paris dhe do të qëndrojë e hapur nga 10 tetori 2026 deri më 1 shkurt 2027.