Plagosja me mjete prerëse e një të burgosuri, drejtoresha e Burgjeve vizitë kontrolluese në qelitë e Durrësit!
Pas plagosjes me mjet prerës të një të burgosuri, të dielën e kaluar, pas një konflikti banal, drejtoresha e përgjithshme e burgjeve, Sadleva Bodo, ka zhvilluar një vizitë monitoruese në burgun e Durrësit.
Bodo ka takuar nga afër dy të dënuarit e përfshirë në incident, ndërsa rasti po shqyrtohet nga strukturat inspektuese të Drejtorisë së Burgjeve. Sipas këtij institucioni, njëri prej tyre ka probleme të shëndetit mendor.
Gjatë inspektimit u evidentuan edhe problematikat infrastrukturore, pasi burgu i Durrësit ndodhet në një godinë tejet të amortizuar, e cila është përballur disa herë me përmbytje gjatë viteve të fundit.
Drejtuesja e burgjeve njoftohet se inspektoi ambientet e kuzhinës, shërbimit shëndetësor, arsimit dhe formimit profesional, si dhe takoi të dënuarit për të dëgjuar ankesat dhe kërkesat e tyre.
Ndërkaq, në bashkëpunim me Dhomën Vendore të Avokatisë janë rikonstruktuar tre ambiente për takimet e të dënuarve me avokatët.